Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë: Finalja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të çojë në njohje reciproke – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë: Finalja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të çojë në njohje reciproke

13:21 | 20 Tetor 2020

Rohde: Finalja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të çojë në njohje reciproke.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde thotë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje reciproke. Ai shton se shpreson se dialogu të sjellë progres konkret për njerëzit, e njëjtë shprehet edhe kur flet për liberalizimin e vizave, raporton Gazeta Express.

Rohde thotë se që nga marrja e detyrës në Kosovë, ka takuar shumë akterë politik e është njoftuar me përfaqësues të shoqërisë civile.

Megjithatë, ai shton se Kosova gjendet në një periudhë sfiduese në aspektin e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.

“Nga aspekti politik Kosova gjendet në një periudhë sfiduese, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Unë shpresoj që p.sh. dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të sjell progres konkret për njerëzit; e njëjta vlenë edhe për liberalizimin e vizave. Për të gjitha këto është e rëndësishme që Kosova të ketë një qeveri stabile, ashtu që të mund të fokusohet në sfidat e mëdha në këtë kohë të pandemisë, siç janë luftimi i pandemisë, ndihmat për qytetarët, marrë pasur parasysh pasojat ekonomike të pandemisë e gjithashtu edhe një marrëveshje me fqinjin, Serbinë”, ka thënë ai.

Gjermania sipas ambasadorit e mirëpret rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai shton se pos dialogut, nuk ka alternativë tjetër për të gjetur zgjidhje.

“Ne e mirëpresim rifillimin e dialogut të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër për të gjetur zgjidhje, pos dialogut. Edhe nëse ndaleni, siç ka ndodhur që nga viti 2015, në fund përsëri duhet të uleni bashkë. Gjermania mbështet plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak. Ne duam që dialogu të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha çështjet, përfshirë edhe atë të njohjes reciproke, sepse është krejtësisht e paimagjinueshme, që BE të pranojë anëtarë, të cilat nuk e njohin njëri-tjetrin. Presim nga të gjithë lideret e përfshirë të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që mund të dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit, e me këtë të pengojnë procesin e dialogut. Të dyja palët tani duhet të punojnë me përkushtim të plotë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që zgjidh të gjitha çështjet e hapura. Kjo do të thotë për mua që të dyja palet duhet të negociojnë në mënyrë kompetente dhe në besim të ndërsjelltë. Për të ecur përpara të dyja palët duhet përqendrohen në potencialin e madh të bashkëpunimit rajonal dhe në perspektivën evropiane për qytetarët e tyre”, shton ai.

Sa i përket çështjes së Asociacionit, Rohde thotë se duhet të diskutohen të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Pyetja lidhur me qasjen ndaj marrëveshjeve të nënshkuara më parë në Bruksel, në parim duhej t’u drejtohej palëve dhe zotit Lajcak. Në mendojmë se marrëveshja eventuale nuk duhet të mos përputhet me zotimet tashmë të bëra. Siç e ka deklaruar z. Lajcak më herët, çështje shumë komplekse dhe të ndjeshme duhet të diskutohen gjatë bisedimeve. Bisedimet nuk do të jenë më të lehta dhe të dyja palët do të duhet të jenë të gatshme të bëjnë kompromise. Ne mendojmë se të gjitha çështjet e hapura do të duhet të diskutohen dhe të zgjidhen në mënyrë që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë banale të thuhet, por një parakusht për suksesin e bisedimeve është që të dyja palët të kenë një besim fundamental dhe vullnet për kompromis. Shpresojmë të jetë ashtu, dhe jo vetëm për bisedimet e mëtutjeshme në kuader të dialogut, por edhe për fushat tjera politike”, ka thënë ai.

Ambasadori gjerman ka folur edhe për arrestimet e Speciales.

“Hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është pjesë e përkushtimit kosovar për sundim të ligjit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrushme në një shoqëri pa pasur drejtësi. Gjermania është e bindur se luftimi i pandëshkueshmërisë përmes gjykatave vendore dhe ndërkombëtare është pjesë e politikave të përgjegjshme ligjore dhe të jashtme. Së bashku me BE-në, Kosova me krijimin e Dhomave të Specializuara, sipas ligjit kosovar ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt këtij qëllimi. Gjermania mbështet punën e Dhomave të Specializuara si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të adresuar krimet gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi. Është e rëndësishme të theksohet se Dhomat e Specializuara hetojnë vetëm krimet e pretenduara të individëve dhe nuk paragjykojnë një shtet të tërë, ose popullin e tij.”, ka thënë ai për DW.

Gjermania, sipas tij është duke punuar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Unë kam arritur në Kosovë para një kohe të shkurtër, por natyrisht se jam tejet i vetëdijshëm për zhgënjimet lidhur me vendimin në pritje për liberalizimin e vizave dhe rëndësinë që ai vendim ka për qytetarët dhe bizneset në Kosovë. Siç ka thënë së fundmi Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe duke biseduar me partnerët tanë në BE. Është e qartë se duhet të punojmë së bashku për të bindur kritikët e fundit. Këtu duhet të jetë e qartë se për ne dhe partnerët tanë në BE çelës për të arritur një gjë të tillë përfundimisht mbetet angazhimi i vazhdueshëm dhe rezultatet e dukshme në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ai./

Komento: