Ambasadori i ShBA-ve mbledh përfaqësues politikë e shoqërinë civile, flasin për Asociacionin

09:05 | 30 Janar 2023

Hovenier mbledh përfaqësues politikë e shoqërinë civile, flasin për Asociacionin.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier nesër takohet me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin

Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë,ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm i shoqërisë civile.

Në këtë takim pritet të dëgjohen propozime nga aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, për atë se si do të duhej të dizajnohet Asociacioni.

Kurse sot, Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) sot në Prishtinë prezanton një draft-statut për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).

“Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë do të prezantojë dhe diskutojë rezultatin e punës sonë për një draft statut për një “Asociacion të Komunave në Republikën e Kosovës në të cilën komuniteti serb i Kosovës është shumicë”, të hartuar në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP)”, njofton Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Në 23 vitet e pranisë në Kosovë, Zyra Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë ka kontribuar në diskutime publike dhe politikëbërje për shumë çështje të ndryshme politike, ekonomike dhe sociale, raporton RTKlive.

“Si pjesë e programin tonë, ne synojmë ta forcojmë Kosovën si partner për paqen dhe sigurinë në rajon dhe ta mbështesim agjendën e saj politike të përkushtuar për integrimin në BE. Vitin e kaluar, ne bashkuam forcat me Institutin Evropian të Paqes (EIP) dhe organizuam një seri të përbashkët të seminare në vitin 2022 për çështjet e pazgjidhura të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëpërmjet këtyre seminare që diskutuam dhe trajtuam çështjet dhe sfidat më urgjente në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i parapriu hartimit të Statutit”, njofton Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Sipas FES, puna është produkt i partneritetit mes dy organizatave dhe nuk përfshin asnjë palë të tretë.

“Procesi i hartimit të statutit përfshinte konsultime me ekspertë, akademinë dhe profesionistët që punojnë ose përfshihen në dialogun e Brukselit. Prandaj, në një mjedis shumë të instrumentalizuar politikisht, botimi duhet parë më tepër si një pikënisje për një kontribut të bazuar në dëshmi. Puna jonë u drejtua vetëm nga motivimi për të kontribuojnë në fillimin e një diskutimi publik thelbësor dhe ofrimin e rekomandimeve tona të formësuar ekspertizën e duhur vendore dhe ndërkombëtare – siç kemi bërë në të kaluarën për çështje të ndryshme politike dhe socio-ekonomike”, njofton Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë.

Komento: