
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, për FrontOnline shprehet se nuk pret ndonjë sukses nga takimi i sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të PDK-së, Memli Krasniqi.
‘’Nuk mund të pritet shumë nga ky takim, sepse kushtet nuk japin indikacione për një gjë të tillë, duke pasur parasysh qëndrimet e Kurtit dhe Krasniqit. Vetë zgjedhja e temës për këtë takim është e gabuar, sepse Kosova ka prioritete më të mëdha se sa tema për agjendë legjislative’’ shprehet Muhaxhiri.
Ai thekson se nëse do të kishte tema tjera për të diskutuar në takim, edhe dy partitë tjera opozitare do të i përgjigjeshin pozitivisht, ftesës së Kurtit.
‘’Mendoj nëse Kurti do e ftonte opozitën për të diskutuar rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE, për dialogun ose tema tjera, gjithësesi do të përgjigjëshin pozitivisht, por mënyra e këtij takimi të këtij niveli, nuk mund të ketë rezultate’’ deklaron ai.
Analisti Muhaxhiri thekson se dallimi mes partive opozitare tregon se nuk ka pajtueshmëri mes tyre.
‘’Kjo është një dëshmi se nuk ka pajtueshmëri mes opozitës sa i përket zgjedhjeve të reja apo proceseve politike, kjo është negative sepse një qëndrim më i prerë i opozitës do të i bëhej presion kryeministrit Kurti që ai të sillej në mënyrë më konstruktive’’, potencon ai.
Muhaxhiri shton se me opozitën aktuale që ka Kosova, Kurti mund të qeverisë si të dëshiron.
‘’Me këtë opozitë, Kurti mund të qeverisë vetëm ashtu siç do dhe kjo çarje opozitare i bën dëm Kosovës. Me gjitha këto dallime pozitë e opozitë, dobësohet orientimi politik i Kosovës’’ përfundon ai/FrontOnline/