Angli – Kosovë, ndryshime të mëdha në formacionet startuese – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Angli – Kosovë, ndryshime të mëdha në formacionet startuese

19:42 | 10 Shtator 2019

Janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen Angli – Kosovë.

Kosova do të kërkojë ta ruajë ecurinë e përkryer pa humbje, por për ta bërë këtë i duhet ta tejkalojë pengesën më të madhe në histori të saj, lideren e Grupit A kualifikues për Euro 2020, Anglinë

Anglia është nikoqire e Kosovës në stadiumin St Mary’s në Southampton, në duelin mes dy skuadrave të pamposhtura në Grupin A që nis në orën 20:45.

“Tre luanët” janë lider të grupit me 9 pikë nga tri ndeshje dhe ndiqen nga Kombëtarja dardane që ka një pikë më pak por pas katër ndeshjeve.

Kosova synon ta ruajë ecurinë prej 15 ndeshjeve pa humbje, ndërsa Anglia kërkon fitoren e 33-të kualifikuese që prej vitit 2009 dhe ta ruajë rekordin e të pamposhturës në fushatat kualifikuese për Euro dhe Kampionat Botëror që prej asaj kohe.

Edhe në këtë takim, Kombëtarja dardane nuk do të mundë të llogarisë në të lënduarit Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli.

Trajneri Bernard Challandes ka bërë ndryshime në formacionin me të cilin luajti kundër Republikës së Çekisë, duke e futur nga fillimi Florent Muslijan në vend të Edon Zhegrovës dhe Valon Berishën para Rashanit.

Edhe Anglia ka bërë ndryshime, trjaneri Gareth Southgate ka vendosur ta lërë në stol Marcus Rashfordin dhe në vend të tij ta fusë Jadon Sancho. Po ashtu, në këtë ndeshje startojnë edhe Ben Chilëell dhe Trent Alexander-Arnold.

Komento: