Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Lavdim Krasniqit dhe të tjerëve

17:24 | 07 Nëntor 2023
apeli-kthen-ne-rigjykim-rastin-ndaj-lavdim-krasniqit-dhe-te-tjereve

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, si dhe Ardian Krasniqit, Marigonë Berishës dhe Flora Dodës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Lavdim Krasniqit, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë.

Kurse, e akuzuara Marigonë Berisha, ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë, ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Vendimi i Apelit, lidhur me këtë çështje është marrë më 7 nëntor 2023 nga kolegji i gjyqtarëve me kryetare Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtarë gjykatësit Hashim Çollaku dhe Beqir Kalludra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë vendim thuhet se me aprovimin e ankesave, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe të mbrojtësve së të akuzuarve, Lavdim Krasniqi, Ardian Krasniqi dhe Marigonë Berishës është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.

Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar ankesat e ushtruara, aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, si dhe shkresat e tjera të lëndës duke ardhur në përfundim se Aktgjykimi i ankimuar përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.

Në këtë vendim thuhet se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyet e dhëna lidhur me secilën vepër penale e cila i vihet në barrë secilit të akuzuar, ngase nuk përmban arsyet lidhur me faktet vendimtare të cilat i karakterizojnë veprat penale të përshkruara në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë pas marrjes së këtij aktgjykimi duhet të veprojë në atë mënyrë që çështjen penale ta ricaktojë, të procedojë me provat të cilat janë propozuar nga ana e prokurorisë, si dhe provat e nxjerra gjatë mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dhe të ndërmerr veprimet që të vërtetojë që në veprimet e të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, a është kryer vepra penale ushtrimi i ndikimit.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se, gjykata e shkallës së parë duhet të vërtetojë se cili ka qenë roli i të gjithë të akuzuarve për të kryer veprat penale që iu vihen në barrë sepse janë me rëndësi për të vërtetuar ekzistimin apo mos ekzistimin e veprave penale.

“Pasi që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është vlerësuar nga ana e kolegjit të kësaj gjykate se përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës pedale, se gjendja faktike nuk është vlerësuar në mënyrë të drejt dhe të plotë, andaj kolegji gjykuese ka ardhur në përfundim që çështjen penale ta anulon dhe t’ia kthen të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq, vendimi lidhur me konfiskimin e sendeve që kanë qenë të përfshira në kryerjen e veprës penale, do të vendoset pasi që të vendoset çështja penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruat nga akuzat.

Kurse, më 17 tetor 2023 Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë së Shtetit dhe ankesat e avokatëve, ku prokuroria kishte kërkuar rigjykim, ndërsa mbrojtja vërtetim, rivendosje dhe lirim nga akuza.

Komento: