Arbëria mban gjallë shpresat për mbijetesë, fiton me vështirësi ndaj Besës

17:01 | 24 Prill 2021

Arbëria fiton me vështirësi ndaj Besës dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë.

Arbëria ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Besës në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të në Superligën e Kosovës.

Klubi nga Dobraja e Lipjanit ka gjetur fitoren pas katër humbjeve radhazi, duke mposhtur klubin pejan dhe duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me vendasit që patën një rast më të mirë për të shënuar.

Almir Kryeziu (26’) gjuajti nga afërsia, por goditjen e tij u prit fillimisht nga Visar Haxhijaj, ndërsa më pas u përplas në traversë dhe ekipet shkuan në pushim pa gola.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur nga të dyja skuadrat, të cilat arritën edhe të gjejnë golin, me vendasit dy herë dhe mysafirët një herë.

Të parët në epërsi kaluan Besa me anë të Etnik Brruti (52’), i cili shënoi me kokë për 0-1, por Arbëria barazoi 1-1 me anë të Marcelei Santos (65’).

Kur ndeshja pritej të shkonte drejt fundit me barazim, në skenë doli Hysen Bytyqi (85’), i cili shënoi për 2-1 për Arbërinë dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Arbëria e sheh veten në pozitën e nëntë me 30 pikë apo tri më pak se pozita e tetë, ndërsa Besa zë vendin e fundit me vetëm 10 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Arbëria udhëton te Feronikeli, ndërsa Besa e pret Dritën.

Komento: