Ardhja e Ibrahimoviçit, kjo pritet të ndodh në derbin ‘Madonnina’

11:21 | 08 Shkurt 2020

Zlatan Ibrahimoviqi kthen rivalitetin në “Madonnina”.

Pas një mungese prej shtatë vjetësh e gjysmë dhe në moshën 38-vjeçare, sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq, në fundjavë do të jetë pjesë e derbit të qytetit të Milanos.

Dhe jo vetëm kaq. Me kthimin e tij te Milani, ai ka kthyer edhe rivalitetin mes skuadrave të qytetit të modës. Derbi do të luhet të dielën (20:45) mbrëma dhe Ibrahimoviqi do të mundohet ta ndihmojë Milanin për të mposhtur Interin, që këtë edicion po lufton për titull në Serie A.

Ibrahimoviqi ka ngjallur Milanin qëkur u kthye para pak javësh. Ekipi nuk di për humbje që nga ardhja e tij. Kjo formë e mirë dhe prania e Ibrës në fushë, ka rritur shpresat te Milani se mund t’i japin fund serisë negative përballë Interit.

Juventusi, që po ndjek titullin e nëntë rresht dhe ka tri pikë më shumë se Interi, të shtunën (sot) mbrëma luan në udhëtim kundër Veronas, derisa Lazio, që zë vendin e tretë, të dielën përballet me Parman. Ibrahimoviqi është një prej shumë lojtarëve që ka luajtur për të dyja ekipet në “Derby della Madonnina”.

Ai mungoi në ndeshjen e fundit të Milanit që barazoi ndaj Veronas (1:1) për shkak të gripit, por tash do të jetë plotësisht i gatshëm për duelin me Interin. Ibra e di shumë mirë presionin në këtë derbi, pasi ka luajtur gjashtë herë në të për të dyja ekipet dhe ka triumfuar katër herë e ka shënuar dy gola.

Ibrahimoviqi për tre vjet ka luajtur edhe tek Interi (2006-2009). Derbin e parë të qytetit të Milanos e ka luajtur para 13 vjetësh kur ishte pjesë e Interit, kurse të fundit, në vitin 2012 me Milanin, të cilin e humbi 4:2.

Komento: