Arifi: Kosovës mund t’i vijnë propozime të rrezikshme për marrëveshje me Serbinë

22:08 | 19 Tetor 2023
arifi:-kosoves-mund-t’i-vijne-propozime-te-rrezikshme-per-marreveshje-me-serbine

Ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, ka thënë se Kosovës mund t’i vijnë propozime të rrezikshme për marrëveshje me Serbinë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se gjithmonë kur e refuzon një marrëveshje, propozimi i tjetër është më i disfavorshëm.

“Ne me të vërtetë hymë në një fazë që mund të ketë propozime të rrezikshme. Edhe në të kaluarën kemi pasur”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, veprimet e 24 shtatorit e kanë zbehur fuqinë serbe që ta kërkojë një Asociacion që do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Ne e kemi pasur gjithmonë këtë rrezik se gjithmonë kur e refuzon një marrëveshje, tjetrën e ke më të keqe. Ne e kemi pasur një rrezik që sikur të vazhdonim me atë formë të refuzimit, atë elementin që do të jetë në përputhje me Kushtetutën, s’do të ketë kompetenca ekzekutive, e i cili është përkrahur në vazhdimësi nga ShBA-ja dhe BE-ja, shumë njerëz e kanë parë se po krijohet një situatë me një refuzim të vazhdueshëm ku po cenohej besueshmëria me bashkësinë ndërkombëtare”, ka potencuar ish-ambasadori.

Më tej, Arifi është shprehur se tani mund të dalin elemente që mund të jenë befasuese.

“Megjithëse për një marrëveshje të tillë, nuk besoj që ekziston më ndonjë formë që mundet të ketë sukses”, ka thënë Avni Arifi.

Komento: