Arrihet dakordim në mes ndërmarrjeve Publike, Telekomi dhe Posta e Kosovës

14:36 | 22 Janar 2021

Arrihet Dakordim në mes ndërmarrjeve Publike, Telekomi dhe Posta e Kosovës.

Dje, më 21 Janar 2021, me iniciativën e U.D. Kryeshefit Ekzekutiv Zeqir Kiqina dhe U.D. Kryeshefit Ekzekutiv Xhevdet Smakiqi është mbajtur një takim me dy kryetarët e Sindikatave të Punëtorëve të Postës së Kosovës dhe të Telekomit të Kosovës Lamih Balaj dhe Bujar Shala.

Pas një diskutimi intensiv me transparencë të plotë nga ana e Menaxhmentit dhe Sindikatave, është shqyrtuar në hollësi gjendja e rëndë afariste dhe financiare e të dy ndërmarrjeve Publike, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës, strategjitë dhe planet për tejkalimin e kësaj gjendje që dikur i kanë dhënë dividentë Aksionarit, Qeverisë së Kosovës mbi apo rreth 500 milionë euro.

Menaxhmenti dhe Sindikatat u pajtuan plotësisht se muaji Shkurt 2021, është shumë sfidues dhe kërkon aktivitete të reja, të vendosura dhe të koordinuara për t’i mbrojtur e mbajtur aktive dhe operative të dy ndërmarrjet tona publike, nga të cilat varet mirëqenia e mbi 4 mijë familjeve të Kosovës.

Sindikatat përballë Menaxhmentit paraqiten Strategjinë e tyre dhe vendosmërinë se:

ZGJIDHJA E VETME ËSHTË TE SHKAKTARI, PRA, TEK QEVERIA E KOSOVËS, SI AKSIONAR, QË NUK PO I PËRMBUSH OBLIGIMET E SAJ SI PRONARE E TË DY NDËRMARRJEVE PUBLIKE, POSTA E KOSOVËS DHE TELEKOMI I KOSOVËS

1.Ekzekutimi i pagave për të dy ndërmarrjet Publike do të bëhet i sinkronizuar që nëse ekzekutohen pagat e Telekomit për secilën kategori në cilën do datë të muajit, menjëherë ditën e nesërme (në varësi të ekzistimit të kesh-it, por jo më larg se tjetrën ditë të punës), do të ekzekutohen për punëtorët e Postës së Kosovës.

2.Të shtohet disiplina në punë dhe përgjegjësia në punë e të gjithë punonjësve të Postës së Kosovës dhe Telekomit të Kosovës dhe se opsioni për të protestuar në vendin e punës nuk është strategjia e duhur.

3.Nuk do të lejohet më tutje injorimi i gjendjes së rëndë dhe mos përmbushja e obligimeve të Qeverisë ndaj Postës së Kosovës dhe Telekomit të Kosovës.

4.Nuk do të lejohet cenimi dhe pasiguria, si dhe mirëqenia e rreth 4 mijë punonjësve të të dy ndërmarrjeve tona publike, asete jetike të shtetit të Kosovës.

5.Nuk do të lejohet bllokimi i mëtutjeshëm i llogarive bankare, as nga Qeveria dhe as nga Operatorët Privat, si dhe as nga Z- mobile.

6.Nuk do të lejohet me tutje që Qeveria të hesht përballë obligimeve që i ka ndaj dy ndërmarrjeve nga dëmi që iu është shkaktuar nga pandemia COVID-19.

7.Do të kërkohet me mirëkuptim dalje nga situata, ku politika i ka futur këto dy gjigande të Kosovës.

8.Sindikatat do të intensifikojnë veprimet e tyre, deri në grevë urie pranë Zyrës së Kryeministrit, Avdullah Hoti dhe Ministrit të MEA-së.

ASKUSH NUK DO TË MUND TË FALIMENTOJË PER INTERESA PRIVATE E GRUPORE TELEKOMIN DHE POSTËN E KOSOVËS!

Komento: