
Tek çështja e Dialogut, Arsim Bajrami ka përmendur edhe temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka potencuar se me këtë çështje, Serbia ka synim, krijimin e një etnitetit territorial serb në Kosovë.
“Dialogu po hyn në vitin e 13-të dhe praktikisht është akoma i hapur dhe Kosova po ballafaqohet tani me dy sfida kryesore. 16 vjet pas Pavarësisë, sfida e parë është pikërisht, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që në fakt është një tendencë apo një përpjekje e Serbisë për ta instaluar një etnitet territorial serb në Kosovë, përmes bashkësisë së komunave serbe”, ka deklaruar Bajrami, teksa ka shtuar se problem tjetër për Kosovën është edhe Gjykata Speciale.
“Problemi i dytë është veprimi i Gjykatës Speciale, përkatësisht dhomave të specializuara që aktualisht po zhvillojnë një gjykim ndaj udhëheqësve të UÇK-së dhe udhëheqësve shtetëror, aktgjykim ky i cili e ka tendencën që të denigroj pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe shtetësisë së Kosovës. Pra ka sfida serioze sepse Kosova akoma nuk ka arritur ta përmbyll plotësisht procesin e shtet ndërtimit”, ka vijuar tutje Bajrami.
Ai ka folur edhe për politikën në vend, ku ka kritikuar të gjithë për përçarje.
Sipas Bajramit, partitë politike nuk kanë bërë dallimin mes interesave partiak nga ato shtetërore.
“Edhe pse kemi qenë të bashkuar dhe unik në momentin kur është krijuar dhe është shpallur Pavarësia, ne kemi ditur të përçahemi në partitë politike dhe këto partitë tona politike nuk kanë ditur ta bëjnë dallimin mes interesave partiak apo luftës partiake me interesa shtetërore. Shpesh herë me veprimet e tyre të pakoordinuara apo edhe me ambiciet për të marr pushtet kanë dëmtuar shtetin dhe kanë vonuar procesin e tranzicionit”, ka thënë Bajrami.