Asambleja Parlamentare e NATO-s në fundjavë do të vendos për aplikimin e Kosovës për statusin e anëtarit të asocuar

12:03 | 22 Maj 2024
asambleja-parlamentare-e-nato-s-ne-fundjave-do-te-vendos-per-aplikimin-e-kosoves-per-statusin-e-anetarit-te-asocuar

Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtar i asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendë të takimit që ky institucion do ta mbajë nga 25 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.

Një gjë e tillë konfirmohet në agjendën e publikuar, ku tregohet se Asambleja Parlamentare e NATO-s do të marrë vendim edhe për kërkesën e Kuvendit të Kosovës për të t’u bërë anëtare të asociuar.

“Diskutimet do të shtrihen edhe në partneritete. Kuvendi pritet të miratojë një reformë të thellë të partneriteteve të tij dhe të vendosë për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione anëtare të asociuara”, thuhet në agjendë, raporton Gazeta Express.

Në këto takime në Sofje do të diskutohen edhe sfidat në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkë me strategjitë për të përkrahur partnerët në rrezik dhe për të rritur angazhimin.

“Këto diskutime do të nënvizojnë përkushtimin e Asamblesë për stabilitet në rajonet kyçe me interes strategjik, si dhe për nxitjen e dialogut më të gjerë mbi sfidat globale”, thuhet në agjendë.

Gjatë sesionit, të 281 anëtarët e Asamblesë nga 32 vendet anëtare të NATO-s, së bashku me rreth 100 anëtarë nga 25 vende partnere dhe organe parlamentare, do të trajtojnë temat kryesore në axhendën euroatlantike të mbrojtjes dhe sigurisë, duke u fokusuar në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet për Samiti i NATO-s në korrik në Uashington.

Takimi, i cili do të zhvillohet gjatë vitit të 75-vjetorit të NATO-s, do të jetë sesioni i parë i Asamblesë Parlamentare së NATO-s, ku parlamentarët suedezë marrin pjesë si anëtarë të plotë.

Komento: