Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Hysni Syla

11:54 | 05 Janar 2022

AGK-ja me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Hysni Syla.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit, Hysni Syla, shkruan Gazeta Express.

AGK ka vlerësuar lartë kontributin dhe përkushtimin e gazetarit Syla për gazetarinë.

“Syla për shumë vite bashkëpunoi me gazetat si Bota Sot dhe Kosova Sot, drejtoi Shoqatën e Gazetarëve në Mitrovicë, si dhe për një kohë punoi si zëdhënës i kësaj komune. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerëson lartë kontributin dhe përkushtimin që Syla pati për gazetarinë. Njëherësh, u shpreh ngushëllime familjarëve, miqëve dhe kolegëve të gazetarit, Hysni Syla”, thuhet në telegramin e ngushëllimit nga AGK-ja.

Hysni Syla ka vdekur sot pasi një ditë më parë u godit nga një veturë në Mitrovicën e Jugut.

Lajmin për vdekjen e gazetarit e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

“Para rreth 30 minutash ka vdekur. Ka qenë në politraumë, gjendja e tij ka qenë e rende dhe ka pësuar lëndime në krejt trupin”, tha Syla për Express.

Sipas policisë, gazetari Hysni Syla, ishte në cilësinë e këmbësorit.

Ndërsa, pas aksidentit është arrestuar shoferi i veturës i cili dyshohet se aksidentin e ka shkaktuar nga pakujdesia.

Policia njofton se me vendim të prokurorit shoferi është dërguar në mbajtje.

“Rr. Shemsi Ahmeti, Mitrovicë Jug (NN) 04.01.2022 – 18:50. Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi që me veturë nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Si pasoj, viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hysni Syla një kohë të gjatë ka shërbyer si zëdhënës i Komunës së Mitrovicës dhe njëherësh ishte zëdhënësi i parë i kësaj komune.

Ai në vitin 2012 mbajti postin e drejtorit të Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”në Mitrovicë.

Hysni Syla ka punuar edhe si gazetar si dhe ka drejtuar Shoqatën e Gazetarëve në Mitrovicë.

Ai u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare.

Komento: