Avdullah Hoti thotë se Qeveria ka 210 milionë euro tepër në bankë: në vend të vënies në qarkullim ato po i devalvon inflacioni – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Avdullah Hoti thotë se Qeveria ka 210 milionë euro tepër në bankë: në vend të vënies në qarkullim ato po i devalvon inflacioni

10:29 | 29 Korrik 2022

Hoti: Qeveria ka 210 milionë euro tepër në bankë, në vend të vënies në qarkullim ato po i devalvon inflacioni.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti po e kritikon Qeverinë Kurti se po i mban 210 milionë euro pa asnjë nevojë në bankë në vend se t’i vendosë në qarkullim në një kohë kur inflacioni është i lartë.

Për këtë, Hoti tha se ekonomistët e Qeverisë duhet të kenë përgjigje.

“Bilanci bankar i Qeverisë më 30 qershor 2022 ka arritur gati 600 milionë euro, që është afër 7% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5% e PBB-së apo rreth 390 milionë euro. Ky nivel ka i lartë i bilancit bankar nënkupton se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin”.

Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, Hoti thotë se është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit.

“Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit. Përse duhet Qeveria të mbajë 600 milionë euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpjegojnë këtë për qytetarët”.

Hoti ka shkruar se kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtetin – një shtet me ekonomi të tregut.

“Ky nivel i bilancit bankar të Qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë Qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur baraspeshën sociale dhe ekonomike”.

Komento: