Babai i minatorit që ishte i bllokuar në Trepçë mes lotësh: Djali im nuk ka marrë pagë prej një viti

20:28 | 08 Tetor 2026

Babai i njërit prej minatorëve që mbrëmë ishte i bllokuar thellë nën tokë në Trepçë ka pritur me shqetësim të madh daljen e djalit të tij, për të cilin ka treguar se është minator prej gjashtë vitesh.

Ai ka thënë se djali i tij prej një viti nuk ka marrë pagë, duke shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhen minatorët.

Lidhur me këtë ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka shprehur solidaritet me familjet e minatorëve.

“Prindërit dhe familjet tona nuk e meritojnë këtë shqetësim. Ata kanë sakrifikuar gjithë jetën për ne dhe nuk u kemi borxh t’ua shtojmë edhe një barrë mërzie e frike”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Sindikata ka theksuar se pas çdo minatori që zbret në nëntokë qëndron një familje që pret me ankth kthimin e tij në shtëpi.

“Prindërit tanë meritojnë të flenë të qetë, jo të jetojnë me frikën se çfarë mund t’i ndodhë djalit të tyre”, thuhet tutje në reagim.

Sindikata ka kërkuar që minatorët të trajtohen me respekt dhe dinjitet, duke theksuar se pas tyre janë edhe familjet që po e përjetojnë këtë situatë me shqetësim.

Komento: