“Burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për të mbrojtur shoqërinë” Kurti flet për Shërbimin Korrektues të Kosovës

11:17 | 23 Nëntor 2026

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar sot në shënimin e 27 vjetorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ai tha se është aty për të nderuar rrugëtimin e këtij institucioni e për të vlerësuar të gjithë ata që për 27 vite rresht kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e tij.

“Mirënjohja jonë e veçantë u takon zyrtarëve korrektues dhe gjithë stafit të shërbimit, që me profesionalizëm e përkushtim kryejnë një detyrë të vështirë e të rëndësishme, të jashtëzakonshme për sigurinë e drejtësinë në vendin tonë. ShKK ka shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit, forcimin e sigurisë e zgjerimin e infrastrukturës”,deklaroi Kurti, transmeton lajmi.

Ai tha se burgu nuk është i mirë, por i domosdoshëm për të mbrojtur shoqërinë.

“Natyrisht që burgu nuk është i mirë, pro është i domosdoshëm për të mbrojtur shoqërinë, pa harruar që i burgosuri e humbet lirinë, por asnjëherë të drejtat që mbrohen e respektohen nga të gjithë ne bashkë dhe nga secili prej jush, varësisht nga funksioni përkatës që ka”,tha ai.

Kurti deklaroi se progresi i madh i Shërbimit Korrektues është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të çmuara ndërkombëtare.

“Këto vlerësime e pjesëmarrja në samite e konferenca dëshmojnë se ShKK po bëhet pjesë gjithnjë e më aktive e zhvillimeve më të avancuara në këtë fushë.Raporti i Komisionit Evropian ka pasqyruar progresin e sistemit korrektues, duke vlerësuar përshtatshmërinë e ekzekutimit të sanksioneve penale.Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me MD-në dhe me Shërbimin Korrektues ka vazhduar të investojë në kapacitetet e reja dhe përmirësimin e kushteve institucionale. Ndër projektet me rëndësi të veçantë është ndërtimi i Shtëpisë së Nënave në qendrën korrektuese për gra në Lipjan, zgjerimi i kapacitete në kuadër të Forenzikës në Prishtinë, dhe zgjerim i burgut në Gjilan. Burgu nuk është thjesht një ndëshkim, por është obligim i të gjithë neve që të burgosurit kur të vuajnë burgimin mos të rikthehen aty. Suksesi ynë nuk matet vetëm me ndëshkimet që bëhen, por edhe me parandalimin e delikuencës si të tillë. Siguria, luftimi i korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, mbeten synime të pandara të vendit tonë.”

“Atëherë kur vlerësohesh lart e çmohesh shumë natyrisht se rriten edhe pritjet e të tjerëve, do të presin gjithnjë e më shumë prej juve, gjithnjë e më mirë sa i përket kryerjes së funksioneve dhe detyrave që kemi.Qeveria në këtë ngritje të vazhdueshme do të jetë përherë mbështetëse e Shërbimit Korrektues, për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e kushteve të punës modernizimin e infrastrukturës e avancimin e programeve rehabilituese.”

Komento: