Bajram Begaj dekreton Vlora Hysenin si kryespiune të Shqipërisë

17:55 | 03 Prill 2023

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dekretoi sot emërimin e Vlora Hysenit si drejtoreshë të Shërbimit Informativ të Shtetit, dekret i cili hyri në fuqi menjëherë.

Vlora Hyseni ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit ishte emëruar Petrit Ajeti.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ishte drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, më 30 qershor të vitit 2021 e kishin shkarkuar nga detyra Hysenin.

Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.

Komento: