Bashkëpartiakë e opozitë kritikojnë përfshirjen e Kurtit dhe partisë së tij në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut

09:03 | 20 Prill 2024

Bashkëpartiakë e opozitë kritikojnë përfshirjen e Kurtit dhe partisë së tij në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut Maqedonia e Veriut do të mbaj zgjedhjet presidenciale më 24 prill dhe 8 maj të këtij viti. Atje ka filluar më 4 prill fushata elektorale, ku shtatë kandidatë nga katër koalicione dhe tri parti politike do të marrin pjesë.

Partia në pushtet në Kosovë ka dalë me përkrahje në fushatë të njërit koalicion. Është ajo e VLEN-it, ku kandidat për president të Maqedonisë së Veriut është Arben Taravari. Kryeministri Albin Kurti disa javë më parë ka takuar partitë opozitare atje. Pas Kurtit, në ditën kur në Kosovë ka qenë ditë zie, pas dy vrasjeve të grave, ministrja e Drejtësisë dhe kryeparlamentari kanë udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut.

Ministrja Albulena Haxhiu ka qenë prezentë në Forumin e Gruas që është organizuar nga VLEN. Ndërsa, Glauk Konjufca është takuar me liderët e VLEN-it. Prezenca e Kurtit, Haxhiut e Konjufcës për përkrahje në fushatën e VLEN-it në Maqedoni po vlerësohet e dëmshme. Ish-bashkpartiaku i Kurtit, Visar Ymeri e ka cilësuar qëndrimet e tyre si të gabuara.

Ai përmes një prononcimi për Front Online ka deklaruar se kjo ndërhyrje është në zgjedhjet e brendshme të një shteti fqinj të cilat janë jetike për përcaktimin gjeopolitik.

“Pjesëmarrja dhe përfshirja e Kryeministrit të Kosovës në fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut është e gabuar dhe e dëmshme në disa aspekte. E para kjo është ndërhyrje e Kryeministrit në zgjedhjet e brendshme të një shteti fqinjë dhe miqësor. E dyta pastaj është një ndërhyrje që e ku fton njërin krah politik të shqiptarëve atje. E treta është ndërhyrje në një vend në të cilin këto zgjedhje kanë një rëndësi jetike për përcaktimin gjeopolitikë përcaktim ky i cili ka rëndësi edhe për Kosovën përveçse për shqiptarët që jetojnë aty”, deklaroi Ymeri.

Është e papranueshme se Qeveria kosovare është vënë në një funksion të njërit krah politik duke sulmuar kandidatin Bujar Osmani.

“Ndërhyrja kaq e hapur e Kurtit mund të nxisë rritjen e nacionashovenizmit maqedon në dëm të shqiptarëve të Maqedonisë. Është krejtësisht e papranueshme se si Kurti e ka vënë Qeverinë e Kosovës në funksion të njërit krah politikë duke e sulmuar drejtpërdrejt përmes zëdhënësit të qeverisë kandidatin për President z. Bujar Osmani, i cili njëherit është edhe Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut”, thotë Ymeri.

Ymeri: Sjellje e papërgjegjshme e inatçore e Kurtit mos takimi me Talat Xhaferin

Analisti politik, Visar Ymeri ka kritikuar Albin Kurtin pasi ky i fundit nuk takoi kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.

Ai e ka quajtur sjellje të papërgjegjshme e inatçore të kryeministrit aktual kosovar.

“Përkundër deklarimeve publike për gatishmëri dhe përkundër faktit që ishte në fillim të javës në Prishtinë, Kurti nuk denjoi asnjëherë ta takoj Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo sjellje kaq e papërgjegjshme e inatçore politike e Kurtit ndaj një vendi miqësor e fqinjë të Kosovës është e papranueshme dhe shumë e dëmshme”, u shpreh Ymeri për Front Online.

Ymeri: Zyrtarët shtetërorë nga VV-ja kanë harruar që nuk përfaqësojnë vetëm partinë, por edhe shtetin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas vrasjeve të dy grave në Kosovë brenda pak ditëve ka shpallur të mërkurën ditë zie.

Po në këtë ditë ministrja Haxhiu e kryeparlamentari Konjufca kanë mbajtur fushatë në Maqedoninë e Veriut.

Ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri në një prononcim për Front Online i ka kritikuar ish- bashkpartiakët e tij për këtë qasje.

Ai thotë se Vetëvendosja ka harruar që nuk përfaqësojnë vetëm partinë por edhe shtetin.

“Zyrtarët shtetëror nga Lëvizja VETËVENDOSJE! po harrojnë që në pozitat e tyre nuk përfaqësojnë vetëm partinë por edhe shtetin. Vizitat e djeshme në fushatë kur në Kosovë Presidentja kishte shpallur Ditë Zie për gratë e vrara është mospërfillje për këtë ditë. Të mos harrojmë që Dita e Zisë u shpallë pas akteve të fundit të femicidit dhe për një reagimi të madh shoqërore kundër këtyre rasteve në të cilin reagim po ashtu u kërkua për një angazhim më intensiv e më serioz të qeverisë për ta luftuar këtë dukuri në rritje të vrasjes së grave vetëm pse janë gra”, deklaroi Ymeri.

Në ditë zie është pritur që Qeveria të tregoj për masat që do të ndërmerr për rastet e vrasjeve e jo t’u tregojnë qytetarëve maqedonas kënd të votojnë, thotë Ymeri.

“Në situate të tilla ne presim nga qeveria të na tregoj për masat që do t’i ndërmarrë në këtë drejtim, e jo t’u tregoj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut se për kë të votojnë. Shqiptarët atje duhet ta zgjedhin atë bllok politik e ata kandidatë që mendojnë se janë më të mirët, e jo t’u tregojmë ne nga këtu se për kë të votojnë”, theksoi Ymeri.

Visar Ymeri: Kurti po e dëshmon që e sheh interesin e kulluar personal përmbi interesin kolektiv të qytetarëve

Visar Ymeri, ish-bashkpartiaku i kryeministrit aktual, Albin Kurti e ka akuzuar që ky i fundit po e dëshmon që e sheh interesin personal përmbi atë të qytetarëve.

Ai duke folur për Front Online tha se fushata në Maqedoninë e Veriut tregon papërgjegjësinë e qeverisë aktuale.

“Është e vërtetë që Kosova ka shumë çështje dhe për të cilat qeveria Kurti tash e më shumë se vjet nuk ka asnjë përgjigje. Fushata në Maqedoninë e Veriut nuk është pengesë e drejtpërdrejt për zgjidhjen e këtyre çështjeve në kuptimin e kohës e energjisë së shpenzuar. Por ajo qartazi flet për papërgjegjësinë e kësaj qeverie dhe faktin se si Kurti dhe të tjerët e shohin interesin partiak (e në rastin e Kurtit, interesin e kulluar personal) përmbi interesin kolektiv të qytetarëve të Kosovës dhe të Kosovës si shtet”, përfundoi Ymeri për Front Online.

 

 

Beqa: Nuk e di misionin e kujt janë duke e kryer Vetëvendosja në krye me Kurtin për fushatën në Maqedoninë e Veriut, do ju shkojë huq

Kritika partia në pushtet për prezencën në fushatën elektorale të partisë VLAN në Maqedoninë Veriore ka marr edhe nga opozita.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka deklaruar për Front Online se nuk ka dijeni se VV-ja me Kurtin misionin e kujt po e kryejnë për këtë fushatë.

Beqa e ka vlerësuar veprim jo të duhur përkrahjen e një anshme të Kurtit.

Ai thotë se ndihma e Vetëvendosjes në Maqedoni do të shkojë huq.

“Është veprim jo i duhur e aq më shumë njëanshëm kur shkon atje dhe bëhet kundër njerëzve që kanë shumë vlera. Nuk e di misionin e kujt janë duke e kryer Vetëvendosja në krye me Kurtin, gjest i pahijshëm. Një fjalë e popullit ju përshtatët e kanë bërë fetë në Kosovë e po shkojë me rregullu në komshi. Veç dëme kanë me i bërë atyre që tentojnë me ju ndihmuar VV-ja”, deklaroi Beqa.

Prezenca e Kurtit në Maqedoni në prag të zgjedhjeve nuk do të ndikojë për mirë, sipas Beqës.

Deputeti i PDK-së vlerëson se kryeministri Kurti asnjë punë nuk ka realizuar në vendin e tij.

“Kurti edhe më herët kur u përzieke në Shqipëri e ka marr faturën por edhe në Maqedoni do ta merr faturën se qytetarët njëherë i mashtroi gjithë jetën nuk mundët në Shqipëri nuk pati mundësi edhe në Maqedoni nuk do të ketë. Kurti po mshefët mbas kauzave të rrejshme se asnjë punë nuk po e realizon në Kosovë as në ekonomi as siguri as integrim të vendit”, u shpreh Beqa për Front Online.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Deputeti i LDK-së: Me qeverisjen e Albin Kurtit janë rritur problemet në Kosovë, tani po merret me zgjedhjet në Maqedoni të Veriut

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në një prononcim për Front Online ka kritikuar përfshirjen e Kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut.

Ai thotë se përfshirja në këto zgjedhje është ndërhyrje flagrante në një vend fqinj.

“Është amortizim politik, është ndërhyrje flagrante në një vend fqinjë, dashamirës i Kosovës, pastaj është ndërhyrje mes partive shqiptare, dëmi është shumëfishtë edhe në aspektin shtetëror, edhe në aspektin kombëtarë, po mbjell përçarje”, tha ai.

Sipas tij, situatën e rëndon edhe më shumë pjesëmarrja në këto aktivitetet zgjedhore e akterëve që janë të thirrur për të ofruar siguri për qytetarët e të cilët pikërisht e injoruan ditën e zisë në Kosovë duke u bërë pjesë e aktiviteteve zgjedhore në Maqedoni të Veriut.

“Pikërisht këtu dëshmohet, se janë pushtet i pa përgjegjshëm, duke marrë anë, duke tentuar të manipulojnë, dhe destabiliojnë skenën politike atje, shto këtu faktin se kur ishim në zi shtetërore, ku akterët që po dështojnë të ofrojnë siguri për jetën e qytetarëve në përgjithësi, e grave në veçanti, ministrja e Drejtësisë dhe kryetari i Kuvendit vrapojnë për tu dukur shqiptarë të mëdhenj, por efekti i këtyre veprimeve fëmijërore politike do të jetë i dëmshëm”, tha tutje Zemaj.

Deputeti Zemaj tha se se nën qeverisjen e Albin Kurtit, në Kosovë problemet janë rritur.

Ai tha se pjesëmarrja e tij në këto zgjedhje në Maqedoni të Veriut po bëhet për ta fshehur dështimin në çdo aspekt.

“Albin Kurti – lëre që ka çështje të pazgjidhura në Kosovë, por nën qeverisjen e tij, problemet veç sa janë rritur në vendin të cilin e udhëheq ai, pra Kosovën. Dhe është pikërisht qeverisje e dobët, që po e shtynë të merret me fushatën në Maqedoninë e Veriut, për ta fshehur dështimin në secilin segment të jetës, prandaj nën flamurin e patriotizmit, si zakonisht, po e fsheh dështimin, të cilin po e shohin e përjetojnë çdo ditë qytetarët e Kosovës, dhe se premtimet e tij për ndryshim, ishin me të vërtetë ndryshim, por për të keq”, tha ai për Front Online.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon edhe për një mandat me propozim të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, që është në koalicion me disa parti tjera politike.

Gordana Siljanovska Davkova është kandidate e VMRO DPMNE-së opozitare, e cila po ashtu është në koalicion me disa parti politike. Fushatën zgjedhore e kanë nisur edhe dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare.

Kandidatë për president janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetar i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë E Majta.

Komento: