
Bayern Munich mund të hyjë në garë për sulmuesin e Club Brugge, Nicolo Tresoldi, i cili është gjithashtu në listën e dëshirave të Milanit. Dëmtimi i rëndë i Harry Kane mund t’i detyrojë bavarezët të veprojnë që në afatin kalimtar të janarit.
Nicolo Tresoldi po kalon një sezon mjaft të mirë me fanellën e Club Brugge, ku ka arritur të shënojë pesë gola në Ligën e Kampionëve. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Milanin.
Interesimi i klubit italian lidhet edhe me faktin se sulmuesi është një tifoz i madh i Milanit dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur një ditë në “San Siro”.
Megjithatë, Milani mund të përballet me konkurrencë të fortë nga Bayern Munich, i cili prej kohësh po e monitoron talentin e Club Brugge, transmeton ORAinfo.
Dëmtimi i Kane ndryshon planet e Bayern Munich
Sipas raportimit të gazetës italiane Gazzetta dello Sport, Bayern Munich fillimisht e kishte konsideruar Tresoldin si një përforcim të mundshëm për sezonin 2027/28.
Por situata ka ndryshuar pas dëmtimit në kyçin e këmbës të Harry Kane. Sulmuesi anglez i është nënshtruar operacionit dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tre muaj, me rikthimin e mundshëm në shkurt ose mars.
Kjo situatë mund ta detyrojë klubin gjerman të ndërhyjë më herët në tregun e transferimeve dhe të tentojë transferimin e Tresoldit që në janar.
Club Brugge kërkon 60 milionë euro
Një pengesë e madhe për Milanin dhe klubet e tjera të interesuara mbetet çmimi i vendosur nga Club Brugge.
Sipas raportimeve, klubi belg kërkon të paktën 60 milionë euro për ta lënë të lirë sulmuesin e tij.
Duke marrë parasysh fuqinë financiare të Bayern Munich, gjiganti gjerman mund ta ketë më të lehtë të përballojë këtë shumë sesa Milani.
Kështu, dëmtimi i Harry Kane mund të ndikojë drejtpërdrejt në planet e transferimeve të Bayern Munich, por njëkohësisht të komplikojë edhe objektivin e Milanit për të siguruar shërbimet e Nicolo Tresoldit. /ORAinfo/