
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bekim Kuçi, ka deklaruar se partia e tij është në garë serioze për vendin e parë në zgjedhje, duke shtuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e përkrahjes nga qytetarët.
“Nuk kam bërë një matje konkrete, por kam një ndjenjë se LDK-ja është në garë për vendin e parë. Në momentin kur je në këtë garë, një pjesë e qytetarëve anojnë nga fituesi i mundshëm,” ka thënë Kuçi.
Sipas tij, ky perceptim krijon një momentum pozitiv për LDK-në, i cili pritet të shfrytëzohet për të rritur mbështetjen elektorale.
“Prandaj mendoj që LDK-ja do ta shfrytëzojë këtë momentum dhe qytetarët do ta përkrahin më shumë. Nëse nuk je në garë për vendin e parë, është më e vështirë të tërheqësh votuesin që zakonisht përkrah fituesin e mundshëm,” u shpreh ai.
Kuçi theksoi se ky trend pritet të reflektohet në rritjen e numrit të votuesve për LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.