Beqaj i PDK-së i fton 4-5 deputetëve të VV-së që ta votojnë ligjin për Trustin

23:49 | 26 Maj 2022

Hajdar Beqaj i PDK-së i fton 4-5 deputetëve të VV-së që ta votojnë ligjin për Trustin.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqaj, ka komentuar dhënien e 100 eurove të qeverisë dhe mundësinë që qytetarët t’i tërheqin rreth 30 për qind nga Trusti.

Ai tha se dhënia e 100 eurove nga qeveria nuk përbën zgjidhje, por siç tha ai, as Trusti nuk është zgjidhje, por sipas tij, është e drejtë e qytetarëve që t’i tërheqin mjetet e tyre.

Beqaj tha se qëndrimi i PDK-së pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti është në harmoni me kërkesën e qytetarëve t Kosovës, të cilët sipas tij, po e kërkojnë këtë ne mungesë të një vizioni të qeverisë për ta kaluar krizën e krijuar financiare.

“Mungesa e një vizioni të qeverisë dhe një kauze për të qenë afër qytetarëve në kohë krize, atëherë qytetarët e kanë parë një rrugë më të shkurtër dhe mendojë se duhet t’i përkrahim. Personalisht e shoh shumë pasive qeverinë. Mendoj se ajo ka obligim që të jetë afër qytetarëve. Fondi që është ndarë nga qeveria nuk është zgjidhje, por është një lloj kalimi që të paktën qytetarët t’i shtyjnë së paku 2 javë të kësaj krize”.

“Dallimi mes ndihmës që po e bën qeveria dhe kërkesës së qytetarëve ka ndryshim të madh sepse qytetarët nuk po kërkojnë që t’u jep qeveria para, por po kërkojnë që t’ua mundësojë tërheqjen e mjeteve të veta nga Fondi i Investimeve, sepse Trusti është Fond i Investimeve”, është shprehur Beqaj në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se në bazë të informatave të tyre, janë mbi 350 mijë familje që përfitojnë nga tërheqja e Trustit në vlerën prej 30 për qind.

“Kur kalon ligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, nuk të obligon që t’i tërheqësh mjetet, por nëse ato familje që kanë nevojë t’i tërheqin mjetet atëherë qeveria mund edhe t’i kompensojë”.

“Nuk mbahet shteti me lëmosha, shteti mbahet me një vizion dhe agjendë konkretet dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik. Është një gjë e lehtë që qeveria të merr vendim dhe t’ua jep qytetarëve nga 100 euro, por kjo nuk është zgjidhje. As Trusti nuk është zgjidhje, por është e drejtë e qytetarëve që t’i tërheqin mjetet”, është shprehur Beqaj, njofton Klankosova.

Në fund, Beqaj u ka bërë thirrje disa deputetëve të Vetëvendosjes që ta votojnë këtë ligj, pasi sipas tij, duhen 61 deputetë të marrin pjesë në votim e 31 të jenë pro.

“Unë i bëjë thirrje që së paku katër ose pesë deputetë të Vetëvendosjes ta votojnë këtë ligj, sepse kjo është punë numrash sepse duhet të marrin pjesë 61 deputetë pjesë në votim dhe shumica e këtij 61 të jenë pro, pra 31”, ka thënë Beqaj.

Komento: