Berisha: Pas bisedës që patëm, Challandes nuk e mbajti fjalën

14:57 | 12 Qershor 2021

Bernard Berisha kritikoi selektorin e kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes.

Reprezentuesi i Kosovës ishte i ftuar në emisionin televiziv, “Euro Kampionët” në “Kanal 10″.

Ai foli për pakënaqësitë e tij ndaj selektorit, Bernard Challandes, ku pas ndeshjes me Greqinë pati tensione ndërmjet tij dhe zviceranit, por pastaj gjërat ishin qetësuar.

Berisha theksoi se pas bisedës me Challandes, ai ende po vazhdon me të njëjtat mendime.

“Pas rastit në ndeshjen ndaj Greqisë, ne kemi bisdetuar njëherë në Shqipëri, ai ka thënë që ‘ne duhet t’i harrojmë ato se çka kanë ndodhur, do t’i kesh minutat e tua’. Por, prapë se prapë, kur jemi kthyer në Kombëtare, ai ka vazhduar prapë me të njëjtin mendim”, tha ai.

“Nëse është ndjerë i ofenduar me gjestin që kam bërë, unë publikisht i kërkoj falje. Por, mendoj që ka qenë e vetmja mënyrë që me i tregu që edhe unë jam këtu. Realisht nuk më është dhënë mundësia aq sa e kam merituar”, shtoi ai.

“Ka shumë lojtarë që janë të pakënaqur me mënyrën se si trajtohen në Kombëtare tani. Nuk është problem, unë do të kthehem aty, por vetëm nëse ai e mban atë premtimin për të cilin kemi folur”, tha Berisha.

“Nuk më duket korrekte kur dikush komunikon në një mënyrë tjetër kur je vet me të, pastaj kur jeni grumbull është ndryshe. Kjo nuk më pëlqen dhe realisht nuk e kam parë gjatë gjithë karrierës time. Kur i thuani lojtarit që e harrojmë këtë dhe po provojmë diçka të re, atëherë duhet të mbash përgjegjësi. Mendoj që selektori nuk është treguar shumë i drejtë në këtë aspekt ndaj meje”, përfundoi Bernard Berisha.

Komento: