Besim Kelmendi, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit

15:21 | 21 Prill 2022

Prokurori Besim Kelmendi do ta ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka vendosur Këshilli Prokurorial i Kosovës të enjten.

Detyrën ai do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së.

Më 6 prill, Këshilli Prokurorial votoi Blerim Isufajn për këtë pozitë, por vendimi për dekretim ka mbetur në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Shoqëria civile e ka quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt, ndërsa të zhgënjyera me procesin janë deklaruar edhe ambasadat e disa vendeve partnere dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Këshillin Prokurorial të Kosovës për procedurën e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të Shtetit.

Aleksandër Lumezit sot i përfundon mandati i Kryeprokurorit. Pozitën e ka mbajtur që nga 21 prilli 2015.

Komento: