Betejës së UP-së me Kishën s’i shihet fundi as pas dhjetë vjetësh – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Betejës së UP-së me Kishën s’i shihet fundi as pas dhjetë vjetësh

19:10 | 29 Qershor 2022

Kanë kaluar dhjetë vjet nga koha kur Universiteti i Prishtinës ka nisur një betejë gjyqësore për të drejtën e shfrytëzimit të një parcele të tokës afër kampusit universitar, ku gjendet një kishë e papërfunduar ortodokse.

UP-ja dhe Kisha Ortodokse Serbe po përballen në një proces të stërzgjatur gjyqësor dhe të dyja palët thonë se ai nuk është as afër fundit.

Vendimi gjyqësor për tokën 4-hektarëshe do të mund të përcaktonte fatin e kishës së papërfunduar, të quajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar.

UP-ja pretendon se ky objekt është ndërtuar ilegalisht në tokën e universitetit në vitet ’90. Historianët e lidhin atë me represionin e regjimit të atëhershëm serb, me në krye Sllobodan Millosheviqin.

Kisha Ortodokse Serbe, në anën tjetër, mohon se objekti ka karakter politik dhe kërkon që të lejohet shfrytëzimi i tij për rite fetare.

Më 2 qershor, Kisha Ortodokse Serbe ka akuzuar Policinë e Kosovës për, siç ka thënë, ndalimin e mbajtjes së një liturgjie në këtë kishë.

Famullitari i Prishtinës, Stanisha Arsiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se liturgjia ka qenë e planifikuar të mbahet në praninë e dhjetëra besimtarëve, me rastin e kremtes së Ditës së Shpëtimtarit – festë ortodokse – por se policia e ka penguar ceremoninë. Vetë policia ka thënë se ngjarja nuk ka qenë e paralajmëruar.

Megjithatë, në qershor të vitit të kaluar, Kisha Ortodokse Serbe ka arritur të mbajë një liturgji në kishën e kontestueshme, që zakonisht qëndron e zbrazur.

Këtë shfrytëzim të objektit, institucionet e Kosovës e kanë cilësuar si “shkelje të rregullave të sigurisë publike”, pasi Policia e Kosovës nuk ka qenë e paralajmëruar për atë tubim.

Ku ka mbetur procesi gjyqësor?

Toka e kontestuar, ku gjendet kisha, është në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës, në padinë që ka ushtruar në gjykatë, pretendon se tokën e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar nga viti 1975.

Sipas UP-së, kjo tokë i është dhënë kishës në shfrytëzim, në mënyrë të jashtëligjshme, në vitin 1990.

Nga Kisha Ortodokse Serbe këmbëngulin se “nuk kanë nevojë të fitojnë të drejtën mbi tokën”, pasi toka dhe objekti kishtar, sipas tyre, i takojnë Kishës Ortodokse Serbe.

“Është detyrë e palës tjetër ta provojë të kundërtën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Radovanoviq, avokat përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe.

Komento: