Bie interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar

23:40 | 26 Mars 2022

Ka pak persona që ditëve të fundit po vaksinohen.

Interesimi për t’u vaksinuar kundër Coronavirusit në Kosovë ka rënë dukshëm.

Thirrjet e autoriteteve shëndetësore për vaksinim gjithëpërfshirës duket se po hasin në vesh të shurdhër.

1.572 është numri i qytetarëve të cilët janë imunizuar kundër COVID-19 që nga e hëna e 21 marsit në nivel vendi. Ky numër është përafërsisht tri herë më i ultë se i ai i të vaksinuarve brenda 24 orëve gjatë periudhës janar-shkurt.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, më datë 18 janar të këtij viti janë dhënë 5.478 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Ndërsa, në 24 orët e fundit, 26 mars, janë dhënë jo më shumë se 237 vaksina.

Prej fillimit të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.821.149 doza të vaksinës.

Sipas MSh-së, 819.971 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Ndërsa, deri më sot janë dhënë 99.743 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për respektim të masave anti-COVID, teksa ka njoftuar se dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja fatale.

Komento: