Bislimi uron VRMO-DPMNE: Kosova e gatshme të bashkëpunojë drejt forcimit të marrëdhënieve

19:33 | 09 Maj 2024
bislimi-uron-vrmo-dpmne:-kosova-e-gatshme-te-bashkepunoje-drejt-forcimit-te-marredhenieve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka uruar VMRO-DPMNE-në për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut.

Përmes një postimi në platformën “X”, Bislimi ka thënë se Kosova është e gatshme të punojë së bashku drejt forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.

“Urime VMRO-DPMNE-së për fitoren e parlamentit të djeshëm. zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe detyra e tyre e ardhshme për të formuar qeverinë e re të koalicionit. Kosova është e gatshme të punojë së bashku drejt forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”, ka shkruar Bislimi.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut i kanë dhënë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj.

VMRO DPMNE-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, ka fituar mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.

VMRO DPMNE-ja ka shënuar fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Komento: