Blitt dhe Ahmeti diskutojnë për konsultimet e ardhshme politike

17:27 | 18 Tetor 2023
blitt-dhe-ahmeti-diskutojne-per-konsultimet-e-ardhshme-politike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njofton se Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti ambasadoren e re jo rezidente të Kanadasë në Kosovë, Jesicca Blitt.

Ahmeti, e ka uruar Ambasadoren Blitt për misionin dhe përgjegjësinë e re, duke i shprehur mirëseardhje në vendin tonë.

Sipas njoftimit, Ahmeti i ka shprehur mirënjohjen e thellë Ambasadores Blitt për mbështetjen e fuqishme dhe pa ekuivokë që Kanada dhe populli i saj i kanë ofruar në vazhdimësi Kosovës gjatë periudhave më të vështira të historisë.

“Në vazhdim, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes dy vendeve, duke shprehur përkushtimin e dyanshëm për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi në çështje të ndryshme të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Ahmeti dhe Ambasadorja Blitt kanë diskutuar edhe mbi përgatitjet që po bëhen nga të dyja ministritë respektive mbi konsultimet e ardhshme politike dhe që pritet të mbahen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm në Kanada.

Po ashtu Ahmeti e ka njoftuar Ambasadoren Blitt edhe mbi aktin e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës ku ka theksuar nevojën për masat që duhet t’i ndërmerr komuniteti ndërkombëtar ndaj Serbisë, e siç ka thënë Ahmeti, në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten përpjekjet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon.

Komento: