Brenda dy ditësh LDK premton Qeverinë e re

13:32 | 29 Maj 2020

LDK premton Qeveri brenda dy ditësh, por nuk i ka caktuar ende emrat e ministrave.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë mbrëmë dekretit të presidentit Thaçi me anë të të cilit, Avdullah Hoti nga LDK ishte mandatuar për kryeministër të ri të Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses i ka hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Nga LDK kanë paralajmëruar se më së largu deri të hënën Kosova do ta ketë qeverinë e re të udhëhequr nga Hoti.

Ata kanë thënë se po presin edhe vendimin zyrtar nga Kushtetuesja në mënyrë që të bëjnë kërkesën për seancë në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, përkundër faktit se LDK deklaron se Qeveria e re mund të votohet në dy ditët e ardhshme, ata nuk i kanë ende gati emrat e ministrave që do të udhëheqin me dikasteret qeveritare.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se vendimi formal për ministrat që do t’i ketë LDK-ja në Qeveri nuk është marrë ende.

Ai poashtu ka konfirmuar se LDK është në koordinim me partnerët e koalicionit, AAK-në e Nismën për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrin.

“Jemi në proces të finalizimit të konsultimeve dhe po ashtu po presim ardhjen zyrtare të vendimit të Kushtetueses. Jemi në koordinim edhe me partnerët e koalicionit. Vendimin formal për ministrat nuk e kemi marrë ende. Seanca do të mbahet në kohën më të shkurtë të mundshme”, u shpreh ai në një prononcim para mediave.
Ndryshe, Qeveria Hoti pritet ti ketë 16 ministri, një më shumë sesa ajo aktuale.

Komento: