BSPK: Nuk e përkrahim protestën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

22:47 | 25 Maj 2022

Reagon BSPK-ja: Nuk e përkrahim protestën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se nuk e përkrah protestën që do të mbahet të enjten e 26 majit para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Adnan Jashari, organizator i kësaj proteste, në një prononcim për Telegrafin të mërkurën tha se kanë marrë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të BSPK-së.

Megjithatë, kjo deklaratë sipas BSPK-së është e pavërtetë.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është gardian i mbrojtjes së të drejtave të të punësuarve në Republikën e Kosovës, dhe ka strategjinë e tij vepruese që mbështetet fuqishëm po në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e në promovimin e po të këtyre të drejtave, dhe po ashtu kujdeset që të mbrojë edhe pastërtinë e veprimit të vet nëpërmjet hierarkisë organizative e menaxhuese”, thuhet në reagimin e tyre.

“Prandaj na duhet të reagojmë në prononcimin e organizatorit të protestës së nesërme, 26 maj 2022, për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), z. Adnan Jashari, duke treguar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj proteste”, thuhet tutje.

Komento: