Buffon tregon historinë se si vendosi të bëhej portier

23:33 | 31 Korrik 2021

Legjenda italiane pavarësisht moshës që ka ende vazhdon të luaj, dhe me fillim të afatit kalimtar veror të transferimeve, ai siguroi një transferim tek Parma, duke u rikthyer tek klubi ku edhe e kishte filluar karrierën e tij.

Gianluigi Buffon njihet si njëri nga portierët më të mirë të botës së futbollit, dhe këtë gjë e dëshmon edhe karriera e tij përplot me trofe me skuadrat si Juventusi e Paris Saint-Germain, e së fundmi është transferuar edhe tek klubi i tij i fëmijërisë Parma, përcjell KosovaPress.

E në një deklaratë të tij, Buffon ka treguar arsyen pse ka zgjedhur rolin e portierit, dhe idhullin e tij nga i cili ishte inspiruar.

“Kur isha i vogël, një legjendë kishte hyrë në jetën time. Thomas N’Kono, portieri i Kombëtares së Kamerunit. E kam parë atë duke luajtur në Kupën e Botës në Itali në vitin 1990. E mbaj në mend ndeshjen e parë kundër Argjentinës, Kameruni e fitoi atë ndeshje falë pritjeve të tij”, tha Buffon.

“Të gjithë kishin sytë tek Diego Maradona dhe Roger Milla, por unë isha i mahnitur nga ai. Nga ajo ditë unë vendosa se do të bëhesha portier. Po ashtu, për nderë të tij, djali im e mban emrin Thomas”, shtoi legjenda italiane.

Kur Thomas N’Kono ishte pensionuar nga futbolli, ai kishte kërkuar nga Buffon që të vijë dhe të luajë në ndeshjen e tij të fundit përshëndetëse në Kamerun.

“Për herë të parë e kam takuar kur ai ishte 20 vjeç dhe ishte tek Parma. Një vit më vonë unë i kërkova atij që të luante në ndeshjen time të fundit përshëndetëse në Kamerun. Ai më tha ‘po, pa problem’, por nuk e kisha menduar kurrë që do të vinte”, tha N’Kono për “BBC”.

“Pastaj, në minutat e fundit, ai më kontaktoi në telefon duke më thënë se ishte në aeroport duke u nisur për në Kamerun. Ishte e mahnitshme”, shtoi ish-portieri kamerunas.

Thomas N’Kono është një ish-portier nga Kameruni, njëri ndër më të mirët që ka dalë nga akademia e Afrikës, dhe gjatë karrierës së tij ka qenë i njohur në kohën sa ka qenë portier i skuadrës Espanyol, duke qëndruar për tetë sezone, respektivisht nga viti 1982 deri në vitin 1990, dhe duke regjistruar 272 paraqitje për skuadrën spanjolle.

Komento: