
Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, është nisur drejt Brukselit ku pritet të të zhvillojë negociata për targat.
Ai ka thënë se atje do të shkojë edhe Kryenegaciatori serb Petar Petkoviq.
Gjatë ditës së djeshme, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për të ulur tensionet.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian tha se nuk mund të arrijmë te 21 nëntori, pa pasur një marrëveshje, dhe se siç thotë ai dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës ka krijuar vakuum dhe mund të ndodhë më e keqja.
“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakuum, mund të ndodhë më e keqja. Kështu që të dy palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, na duhet progres i qartë. E kemi prezantuar propozimin, e falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e kanë mbështetur fuqishëm këtë propozim”, tha ai.
Kryeministri Kurti gjatë javës së kaluar disa herë ka përsëritur se vendimi për targat ka të bëjë me vendosjen e sundimit të ligjit dhe se lëshimi i gjobave do të nisë më 21 nëntor.