Çitaku: Ambasadori Berishaj të kthehet menjëherë nga detyra

14:47 | 31 Maj 2022

PDK përsërit kërkesën: Ambasadori Berishaj të kthehet menjëherë nga detyra.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka përsëritur thirrjen e sa për institucionet kosovare që të sqarojnë rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin u raportua në mediat sllovene se është i përfshirë në një skandal financiar.

Çitaku ka ftuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, që të “mos e marrin në mbrojtje”, por në mënyrë të reagojnë politikisht dhe në mënyrë institucionale shkarkimin e tij.

“Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur mediat sllovene kanë publikuar lajmin i cili përfshinte ambasadorin e Kosovës në Republikën e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skemë të dyshimtë të shpërlarjes së parave dhe transaksioneve të dyshimta. Pas një amnestimi të menjëhershëm që iu bë ambasadorit Berishaj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Jashtme – tash e më se një muaj mbretëron një heshtje shurdhuese. Asnjë deklaratë, asnjë njoftim, asnjë fjalë në lidhje me këtë skandal rajonal të përfaqësuesit më të lartë të Kosovës në Kroaci”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se shumë pyetje të cilat janë ngritur duhet të marrin përgjigje menjëherë.

“ Si i është dhënë shtetësia ambasadorit Berishaj me urgjencë të jashtëzakonshme? A ka marrë agjencioni kosovar kundër korrupsionit ndonjë veprim? Prokuroria e Kosovës, a kanë iniciuar masa për deklarimin e rrejshëm të pasurisë nga Ambasadori Berishaj? A ka treguar ambasadori Berishaj se ku kanë shkuar 600 mijë euro të cilat i ka tërhequr përmes biznesit të tij të padeklaruar? Heshtja dhe mosveprimi politik institucional nga krerët e shtetit të Kosovës është marrje në mbrojtje e ambasadorit Berishaj”, ka thënë Çitaku.

Çitaku u ka kërkuar presidentes dhe kryeministrit “që të mos sillen as si prokurorë e as gjyqtarë”, por të marrin hapa politikë dhe institucionalë dhe ta kthejnë ambasadorin Berishaj nga detyra, duke u hapur rrugë institucioneve të drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre.

“Në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës dhe diplomacia e jonë dështoi ta fuste Kosovën në agjendën e Këshillit të Evropës, në vend se bartësit e institucioneve tona të jenë të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, ata po merren me marrjen në mbrojtje të ambasadorit Berishaj, personit të cilin e kanë përzgjedhur vet. Fshehja dhe mbrojtja e këtij skandali nga zyrtarët tanë më të lartë shtetërorë, nuk do të ndihmojë Kosovën në agjendën e saj evropiane – përkundrazi, do ta minoj rrugën tonë të Integrimit. Qoftë për njohje të reja, që nuk e kemi ende asnjë, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe, qoftë në ndërtimin e raporteve më të mira rajonale me shtetet fqinje”, ka thënë Çitaku.

Në fund, ajo ka thënë Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që ky rast të mbetet në heshtje.

“Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat institucionalë dhe parlamentarë për të siguruar se e vërteta do të zbardhet”, ka përfunduar nënkryetarja e PDK-së.

Komento: