Çitaku: Dy raportet ndërkombëtare godasin korrupsionin qeveritar në Kosovë

17:03 | 24 Prill 2024
citaku:-dy-raportet-nderkombetare-godasin-korrupsionin-qeveritar-ne-kosove

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, derisa ka komentuar dy raportet ndërkombëtare, atë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe atë të FreedomHouse, ka thënë se të dyja godasin korrupsionin qeveritar në Kosovë.

Me anë të një postimi në Facebook, teksa Çitaku ka hedhur kritika mbi Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë se këto raporte duhet të shërbejnë si alarm zgjimi për ekzekutivin.

“Dy raporte të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën brenda dy ditëve. Të dyja, mes problemeve tjera të shumta, godasin korrupsionin serioz qeveritar në Kosovë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar dje, dhe ai i FreedomHouse i publikuar sot – janë tejet shqetësues dhe duhet të shërbejnë si alarm zgjimi për Qeverinë.  Mos të harrojmë – kemi hyrë në vitin e katërt të qeverisjes Kurti. Dhe, përmes vlerësimit ndërkombëtar, jo atij të brendshëm opozitar, rezultati është korrupsioni, ndërhyrja në drejtësi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Kaq për shpresën e premtuar”, shkroi ajo.

Po ashtu, Çitaku theksoi se këto raporte kërkojnë veprime të menjëhershme dhe jo fjalë e justifikime pasi siç thotë ajo, ato godasin vetë thelbin e vlerave dhe parimeve tona demokratike.

Ndërkohë Çitaku potencoi se gjetjet e këtyre dy raporteve paraqesin një pamje të zymtë të shtetit, që sipas saj reflekton keq dhe dëmton imazhin e Kosovës në botë.

“Një gjyqësor që i mungon pavarësia, kufizime të rënda në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, korrupsionin e shfrenuar qeveritar, dhuna e përhapur me bazë gjinore – nuk janë pamja ideale e një shteti që synon integrimin euro-atlantik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Qeveria duhet të kuptojë se këto nuk janë thjesht statistika apo probleme abstrakte; janë padrejtësi të jetës reale me të cilat përballen çdo ditë qytetarët tanë dhe bota po i sheh ato. Duke dënuar fuqishëm këto padrejtësi, PDK kërkon nga Qeveria adresimin e menjëhershëm të këtyre probleme”, shtoi më tej ajo.

Në emër të PDK-së thotë se kjo parti opozitare fton organet e drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre.

“Krahas Qeverisë, ftojmë edhe organet e drejtësisë që të kryejnë me përgjegjësi dhe seriozitetin më të lartë detyrat e tyre – duke mos lënë ardhmërinë e shtetit tonë peng të një paaftësie të thellë politike. Kjo është një betejë që duhet luftuar çdo ditë, nga të gjithë akterët që kanë pushtet ekzekutiv në vend. PDK, përmes të gjitha mekanizmave të saj, do të angazhohet që të shtyjë përpara reformat e nevojshme në ndërtimin e një Kosove ku çdo individ trajtohet me dinjitet dhe respekt”.

Komento: