çka do të bëhet tash me nismën për tërheqje të 30 përqindëshit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

çka do të bëhet tash me nismën për tërheqje të 30 përqindëshit

23:54 | 25 Maj 2022

“Presione” e kundërshtime për Trustin, çka do të bëhet tash me nismën për tërheqje të 30 përqindëshit.

Nisma për një tërheqje të sërishme të kursimeve nga Trusti, s’ka gjetur përkrahjen e deputetëve të pozitës, që janë pjesë e Komisionit për Buxhet. Iniciativa u përkrah nga LDK’ja, PDK’ja dhe AAK’ja, por u kundërshtua nga Vetëvendosje. Për këtë çështje, nesër do të organizohet edhe një protestë, për të cilën organizatorët kanë thënë se do të jetë masive, shkruan Reportori.

Komisioni për Buxhet s’i ka dhënë mbështetje iniciativës së deputetit të PDK’së, Bekim Haxhiut, për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Iniciativa e tij është përkrahur nga opozita, por ka hasur në kundërshtim nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka paraqitur arsyet për të cilat ai ka thënë se janë kundër tërheqjes së Trustit.

Muja ka thënë se nuk mbahet mend një praktikë e tillë të ketë ndodhur në botë apo në Evropë, në rrethana kur vendi është në gjendje të rëndë ekonomike.

Ai ka thënë se me tërheqjen e Trustit nuk ndihmohen shtresat e varfra, por të pasurit.

“Nuk ka të bëjë asgjë me inate personale. Në vitin 2020 është miratuar Ligji për Rimëkëmbje ekonomike për tërheqjen e rreth 200 milionë eurove nga kursimet pensionale. Janë tërhequr mbi 200 milionë euro.

Po flas sa i përket praktikës. Trusti Pensional dhe Kursimi është obligim, nuk është opsionale. Nuk mbaj mend në Evropë ose dikund në botë që pa marrë parasysh shkallën ekonomike të jenë drejtu Trustit për ta zgjedhur këtë skemë, nuk janë prekur kursimet pensionale”, u shpreh Muja në Komision.

Nga minoritetet, Verica Ceraniq e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Balje befasoi me këtë veprim, pasi më herët pati deklaruar se do ta mbështet tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Balje këtë abstenim e cilësoi si momentin më të vështirë të karrierës.

“Ky është momenti më i vështirë në karrierën time, pasi abstenimi është në emër të Grupit Parlamentar ndërsa personalisht jam pro”, tha Balje në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Pasi Komisioni s’e miratoi këtë nismë, u deklarua edhe deputeti Bekim Haxhiu, shkruan Reporteri.net.

Ai tha deputetët janë në presion nga qeveria që të mos e votojnë këtë projektligj.

“Në komision është votuar 5 vota pro dhe 5 vota kundër dhe një abstenim – sipas procedurës parlamentare tash projektligji vjen në seancën e kuvendit pa rekomandim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Shkon në Kryesi dhe që ta fusin në rend të ditës për seancë. Dyshoj se mund të ketë një prolongim edhe nga ana e kryesisë – ky projektligj është dashur që të trajtohet më herët dhe në afatin ligjor është dashur që nesër të jetë në rend të ditës. Komisioni Parlamentar të paktën ta trajtonte një javë ose 10 ditë më herët”, tha Haxhiu.

Sipas tij, presion kishte dhe deputetja Duda Balje.

“Është prolonguar që ky projektligj të trajtohet në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të ndryshuar mendimin dhe për të votuar kundër këtij projektligji. Kam biseduar edhe me deputetë të mazhorancës dhe të minoriteteve në lidhje me këtë. Sot Duda Balje tha që ka pasë një presion, është deklaruar pro këtij projektligji, por për shkak të ndikimit të qeverisë dhe disa deputetëve të minoriteteve në komision ka prezantuar qëndrimin e grupit parlamentar dhe për këtë arsye abstenoi”, tha Haxhiu.

Për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, është organizuar edhe një protestë për nesër, e cila do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

Organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari, tha se pret se protestës do t’i bashkohen shumë qytetarë.

“Kësaj proteste do t’i bashkohen shumë qytetarë për shkak të pakënaqësive”, tha ai.

Ai deklaroi se “do të protestojnë në mënyrë paqësore” dhe se policia është njoftuar me kohë për protestën.

“Kërkesa kryesore është të votohet projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, kujtoi ai.

“Shpresoj që ata do të reflektojnë”, tha Jashari, i pyetur nëse beson se deputetët do ta përfillin këtë kërkesë.

Ndryshe, qyetarëve u ishte mundësuar tërheqja e një pjesë të kursimeve në dhjetor të vitit 2020.

Pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, qytetarët kanë mundur të tërheqin 10 përqind të kursimeve të tyre.

Komento: