Haradinaj la Kosovën siç e gjeti: me statusin e saj të sovranitetit në treg të zi; me ikje masive; me ekstremizëm eklatant fetar; me ekonomi të shitur tek oligarkët dhe tiranët e huaj; me arsim për dhé; me ambasador të huaj që ia bëjnë politikën para e pas perdeve; e izoluar dhe para gjyqit për gjenocidin që i bënë mbi fëmijtë, gratë dhe djemtë e saj. Do të kthehet për ta provuar edhe njëherë, si dy vitet e fundit, përsëri?!
Ose edhe më konktretisht pyetur: çfarë marrëveshje pritet me Serbinë. Haradinaj ishte bllokada. Iku vetë apo e kërcënuan me diçka që s’mundi ta përballojë? Thirrja nga Gjykata Speciale është alibi – thonë dhe kanë të drejtë, fakte tjera bindëse që do ta zhbënin „spekulimin“ s’ka. Përmbjatjen e thirrjes nuk e di publiku, e se nuk është ende i akuzuar dihet, atëherë detyrueshëm mbetet vetëm ky shpjegim i mundshëm për tu besuar, versioni se: tërheqja ishte kalkulim politik! Thonë gjithashtu: Opozita kishte siguruar votat. Në shtator pritej të shëmbet qeveria. E fundit, qeveria, doli më e shpejtë se opozita: rrëzoi veten! Vota e siguruar nga opozita do të ketë qenë shkaku vendimtar që detyroi Haradinajn ta lëshojë anijen. Le të përmbyset ajo me tjerë, por jo me një që nuk e ka ndërmend ta dorrëzojë kapitalin e mbledhur politik si mnbrojtësi i vetëm i shtetit dhe kufijve. Ende jo. I hequr me verdikt nuk është e njejta gjë siç është ikja vullnetare për të mos dëmtuar „institucionin e shejntë të kryeministrit kosovar“.
Opozita dhe koalicionarët nuk e pritën këtë potez të ish-komandantit të Luftës. U befasuan dhe shpallën unisono kumtin ultimativ: sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme! Këtë e bënë jo se vërtet janë të gatshme për zgjedhje, porse ç’u mbetej tjetër? T’i thonin Haradinajt kthehu se nuk të rrëzojmë apo le të krijojmë qeveri teknike gjersa Hashim Thaçi t’i nënshkruaj gjitha marrëveshjet? Jo. Edhe diçka tjetër përcakton raportin Haradinaj – konkurrencë. Opozita, ambasadat dhe ish-partnerët e tij në esencë janë të bindur: Haradinaj ka më shumë pushtet kur nuk është në pushtet. Jo vetëm serbët e ndiejnë këtë. Konkurrenca e tij e di edhe më mirë. Prandaj gjithë këto u zhgënjyen keq që nuk u ndezi strategjia; për ta futur kryeneçin e dyherë të paditur nga Dukagjini nën kontroll duke i dhënë pushtet. Dhe nëpërmjet pushtetit ta neutralizojnë disi. Ia dolën?
Para se të themi në fund edhe njëherë se nuk ia dolën, le t’i vizitojmë kapacitetet aktuale reale të partive politike që do të hyjnë në zgjedhje. Si mund të dalin ato? Qëllimisht nuk përfillim sondazhet. Atyre nuk u besojnë as ata që i bëjnë.
II.
LVV është e pasigurtë. Prandaj thërret ish të sulmuarin me vezë e me molotovë në rrugë e në shtëpi që ta formojnë bashkë një subjekt të ri. Asaj i iki pjesa më vitale që gjeneronte vota për të qenë parti. Kurti vetë i ka dy mundësi: zgjidhet siç votohen diktatorët dhe merr pushtetin dora vetë ose bashkohet për të shpëtuar me një tjetër parti. E para është e pamundur në demokracitë e tipit siç e ka Kosova. E dyta s’do ishte keq. Kurti e ka merituar që të provohet njëherë në pushtet. Nëse jo për tjetër për ta shpëtuar mentalitetin nga mitet që i prodhon oreçast dhe harron se janë të imagjinatës së vetë e jo realitet. LVV nuk do ta arrijë si parti kurrë më stadin e zgjedhjeve të fundit. Vetë jo e me tjerë jo se jo.
LDK e pokeroi fuqinë e saj absolute që kishte deri disa muaj më parë. Nga njëra anë me figurat e reja që i solli dhe të cilat më shumë prodhojnë aversion se simpati dhe nga ana tjetër me orgjitë marciale degëve dhe nëndegëve ajo ka ulur potencën e saj elektorale. Rol të fuqishëm se a do të rritet edhe për 1-2% LDK apo do t’i humb deri më 3% në krahasim me zgjedhjet e shkuara, varret nga stafi i ri udhëheqës. Dy kandidatët e përfolur nuk mund të sjellin energji për më vertikalitet. Haziri përfaqëson minusin, ndërkaq Veliu status quo-në, stabilitetin në konktekst të ruajtjes së numrave.
PDK ka humbur orientimin. Ajo do t’i humb edhe ca përqindje. Përkundër strukturave të saja stabile në terren. Ajo do të mënduket ngase nuk realizoi premtimin e dhënë që nga zgjedhjet e fundit; se do ta bëjë reformën. Reformë që parasëgjithash nga opinioni u nënkuptua si pastrim rradhësh nga elementet e inkrimunuara e përgjegjëse për shumë anomali të deritanishme. Kadri Veseli me qëndrimet dhe vendimet e tij përcolli muajve të fundit mesazhet e qarta se nuk ka asnjë fije pushteti në partinë që udhëheq dhe se ajo mbetet nën diktatin e „warlordëve“ të paditur dhe kërcënues. As strategji të dokumentuara dhe elan të veçantë të figurave të caktuara, ende me popullaritet, nuk shohim. Në një mënyrë apo tjetër PDK ka vendosur të bëhet çelësi i marrëveshjeve të ardhshme (si dikur AAK), por jo synuese kryesore e pushtetit. Për këtë i janë djegur përtepër bateriat.
AAK shkalkulohet keq. Nuk do rritet edhe më. Lokalisht do ta mbajë fuqinë, në plan nacional ndoshta edhe humb diçka. Edhe militantët e saj më frenetikë që këndojnë këngë me allti në brez „për prijësin legjendar të Dukagjinit“ e dinë se dështoi në pushtet. Bëri të njëjtin gabim si partitë tjera: ushtroi nepotizëm kolosal me shpresën se do t’i ketë armatë votuese familjet dhe fshatrat e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Ato që i shpalli (detyroi) vetë dhe atëherë kur donte. Këtë truk nuk e hanë neutralët dhe as ata që shpresonin në AAK-në racionalisht, jo vetëm në luftën e saj kundër korrupsionit dhe në stabilizimin e sovranitetit, porqë prisnin veprime edhe në rrafshin kulturor, të arsimit ku qeveritë tjera kanë shkaktuar kratere të rënda. Nuk pati as personal, por as vullnet për tjerat. Shihej se përdor qeverisjen e radhës për urë. Për ku? Shansi për tu bërë kryeministër me vetë fuqinë e partisë së tij nuk ekziston
NISMA u tregua ashtu siç veproi Limaj kur ishte ministër, para se të paditet: nepotiste dhe pa asnjë fije përgjegjësie në rrafshin kulturor, politik dhe juridik. Nëse kalon pragun do ishte mrekulli, ngase pjesën e kulaçit nuk e pati aq sa për të siguruar divizionet e klientelës së nevojshme që nesër do t’ia japin votën. AKR tashmë ka nis të kërkojë shpëtimin duke iu vardisur – si dikur LDK-së – që të mbetet disi e dosido pushtet. Shansi ta kap gjysmën e qeverisë me një deputet nuk do t’i vijë kurrë më. Nëse nuk korrupton serish ndonjë parti të madhe do ta hedh shaminë përfundimisht – e kjo për Kosovën do të ishte më mirë se keq.
III.
Patjetër se analiza lartë krijon përshtypjen t’i kemi bërë vetëm listat negative dhe qëllimisht të kemi shkyçur anët pozitive. Ashtu është. Edhe për ato do të flasim kur Kosova të mos jetë në këtë gjendje: me statusin e saj të sovranitetit në treg të zi; me ikje masive; me ekstremizëm eklatant fetar; me ekonomi të shitur tek oligarkët dhe tiranët e huaj; me arsim për dhé; me ambasador të huaj që ia bëjnë politikën para e pas perdeve; e izoluar dhe para gjyqit për gjenocidin që i bënë mbi fëmijtë, gratë dhe djemtë e saj. Përgjgjegjësinë për këto e kanë gjitha këto parti. Përveç LVV-së, kjo ka luajtur njhë rol pervers në rritjen e ekstremizmit fetar dhe dhunës në politikë, për tjerat mirëpo nuk akuzohet dot.
Sipas kësaj analize: fuqia dhe segmentimi partiak i shoqërisë do të mbetet pothuaj i njëjtë – lëvizjet në përqindje do të jenë minimale edhe për shkak të mosdaljes në votim të njerëzve. Neutralët dhe të zhgënjyerit kanë halle tjera: biletën dhe vizën për të thyer qafën sa më larg.
IV.
Taksa do të mbetet për shkak se s’ka qeveri. Në kushte zgjedhjesh nuk ka as parlament. Hashim Thaçi e as Kadri Veseli, as edhe me mbështetjen eventuiale të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit nuk guxojnë ta prekin taksën. As marrëveshje nuk nënshkruajnë dot. Për shkak të AAK-së respektivisht Ramush Haradinajt, i cili, siç thamë më lartë ka psuhtetin shumë më të madh e kanosës kur nuk është në qeveri. E ky pushtet nuk i vjen ngase di ta luajë më mirë opozitarin, por se ka mekanizma të rrezikshme terreni jo vetëm për Serbinë, por edhe më gjërë. Kjo që themi nuk është mit, dhe nuk është mirë, por është realitet. Për këtë druajnë ata që donin ta fusin nën kontroll. Është komplet çështje tjetër se a është mirë kjo për Kosovën apo jo, mirë domosdo është për ata që s’duan tu mëtkurren kufijtë; për ata që nuk duan koncesione me Serbinë dhe gjyqe për veten; është mirë për ata që s’duan në kurriz të vendit të tyre ta fusin Serbinë sa më shpejtë në BE. Për neutralët dhe ata që sillen të mençur unifikimi i gjitha këtyre përballë rrezikut serb do të ishte krediti më i madh i çdo partie, por ja që këto kanë ventilët e pöerceptimit të realiteteve mbyllur dhe s’duan asgjë tjetër përveçse pushtetin. As atëherë nuk e bëjnë kur dihet se taksa dhe marrëveshja janë dy determinantët që çojnë ose në zhbërjen e shtetit ose në përfundimin e tij.
Se ç’kombinimi do të ishte më i përshtatshmi pas zgjedhjeve të radhës? – Të dielën tjetër! Ma kujtoni po harrova.