Conte për titullin: Interi ia pa hajrin investimit tek unë

21:08 | 08 Maj 2021

Antonio Conte ia doli të rikthejë Interin te fitimi i titullit kampion pas plot 11 viteve.

Zikaltrit zhvilluan një sezon fantastik, në fazën e dytë ishin të shkëlqyer dhe ia dolën të dominonin kampionatin italian. Interi fitoi sot 5-1 ndaj Sampdorias në “San Siro”. Trajneri Conte nuk flet për ndeshjen, por për suksesin e madh të tij dhe të klubit italian.

“Kënaqësia është e pamasë. Nuk kemi humbur asnjë ndeshje në fazën e dytë, një arritje e pabesueshme. Unë nuk jam kursyer, kam dhënë gjithçka nga vetja dhe fitimi i titullit me Interin ka qenë arritja më e madhe, për shumë shkaqe të ndryshme.

Triumfi me Interin më ka dhuruar lumturi të madhe. Vetëm ne e dimë sesa kemi punuar dhe sa kemi vuajtur. Njerëzit mbajnë mend vetëm sukseset, por pas fshihet një vuajtje shumë e madhe. Kemi bërë një punë shumë të bukur dy vitet e fundit.

I kemi rikthyer besueshmërinë ambientit zikaltër, klubit dhe tifozëve. Këtë herë dua ta shijoj në maksimum suksesin e arritur. Interi nuk fitonte prej 11 vitesh, është normale që të ketë kaq entuziazëm dhe dëshirë për të festuar.

Tifozët kanë pritur gjatë, jemi të lumtur për dhuratën që u kemi bërë atyre. Lojtarët e mi nuk janë rritur vetëm brenda fushës së blertë, ata sot kushtojnë më shumë në merkato. Unë jam një person me pritshmëri, mendoj se investimi i klubit tek unë dha rezultatin e pritur.

E ardhmja? Jam i përqendruar vetëm tek e tashmja, duhet ta shijojmë në maksimum fitimin e titullit. Nuk u dorëzova në asnjë moment, ky është sekreti im. Në këto dy vite tek Interi, e kam tejkaluar veten time“, theksoi Antonio Conte. /abcnews.al

Komento: