Dalin rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Kaçanik – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dalin rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Kaçanik

23:30 | 08 Korrik 2022

Ditë më parë nga uji janë helmuar shumë qytetarë në Kaçanik.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se si pasojë e ujit nga 5 korriku, 192 qytetarë të Kaçanikut kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të njëjta si: temperaturë, ethe, barkqitje, vjellje, mundim. Nga mostrat e ujit të marra, analizat bakteriologjike kanë treguar se këto mostra të ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm

Sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas pranimit të informatës për shtim të numrit të rasteve të raportuara me barkqitje dhe të vjella në Komunën e Kaçanikut, në terren ka dalur ekipi nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Ferizaj (dega regjionale e IKShKP në Ferizaj) dhe ka marrë mostrat e ujit në lokalitetet ku ka pasur raste të raportuara.

Sipas tyre, të gjithë qytetarët e trajtuar janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore, pa asnjë referim për hospitalizim.

Rekomandimet e IKShKP janë si në vijim:
1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109),

2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt,

3. Të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor,

4. Të monitorohet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e klorit (Cl) rezidual,

5. Marrja e të gjitha masave prë njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar,

6. Si rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni“.

Ministria e Shëndetësisë do ta përcjellë me vëmendje situatën dhe bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe institucionet e tjera relevante për hulumtimin e mëtutjeshëm të rastit.

Ndërkohë, deri në sanimin dhe eliminimin e të gjitha problemeve me ujin, u bëhet thirrje qytetarëve të Komunës së Kaçanikut që si masë preventive të vlojnë ujin, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose të shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt.

Komento: