Deklarata e Macron për vizat, Besnik Bislimi udhëton drejt Parisit

09:25 | 19 Tetor 2023
deklarata-e-macron-per-vizat,-besnik-bislimi-udheton-drejt-parisit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Parisit, ku sot do të takohet me Sekretaren e Shtetit për çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave. Përveç me Boone, Bislimi do të takohet edhe me diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Parisit. Ditën e sotme, gjatë qëndrimit në Francë, do të takohet me Sekretaren e Shtetit për çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone, diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez”, thuhet në njoftim.

Vizita e Bislimit vjen pasi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”, duke shtuar se “fjala nuk po mbahet”./Front Online

Komento: