
Avokati Gent Gjini ka bërë të ditur për Kanal10 se nesër do të dorëzohet një kallëzim penal ndaj ministres serbe, Snezhana Paunoviq, ku do të kërkohet edhe lëshim urdhërarresti ndërkombëtar përmes Interpolit.
Kallëzimi pritet të dorëzohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në orën 14:00.
Sipas Gjinit, baza e këtij kallëzimi lidhet me deklaratat e ministres, të cilat ai i cilëson si cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se deklarata e Paunoviqit, ku ajo shprehet se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, është skandaloze dhe e rrezikshme./Gazeta10