Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit/ Ramadan Qehaja: S’ka rrezik, e kemi NATO-n dhe prezenca e tyre mund të rritet

08:33 | 24 Mars 2024
deklaratat-kercenuese-te-vuciqit/-ramadan-qehaja:-s’ka-rrezik,-e-kemi-nato-n-dhe-prezenca-e-tyre-mund-te-rritet

Deklaratat kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të dhëna ditë më parë, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qahaja, thotë se janë për konsum të brendshëm.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë se këto kërcënime janë për të pasur përparësi në bisedime.

“Unë mendoj se një deklaratë e tillë në momentin aktual është më tepër për konsum të brendshëm dhe arritjen në bisedat që pasojnë mes Serbisë dhe Kosovës për të pasur një përparësi në këto bisedime, në anën tjetër ju e dini që në territorin e Kosovës kemi rreth 5 mijë njerëz të NATO-s të cilët qëndrojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Qehaja: Deklarata e Vuçiqit nuk është e rrezikshme

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja për Front Online tha se deklaratat kërcënuese si e ajo e Vuçiqit, nuk është e rrezikshme.

Këtë e arsyeton me prezencën e NATO-s në Kosovë.

“Unë nuk e mendoj që është një deklaratë e rrezikshme, aq kërcënuese, sa po e reklamojnë disa analistë, duke e ditur për shkak të prezencës së KFOR-it apo të NATO-s në territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Ani pse numri i pjesëtarëve në Kosovë është i vogël, ai thotë se kjo mund të ndryshojë.

Sipas tij, NATO mund të përshpejtojë numrin e forcave ushtarake në Kosovë.

“NATO nuk është këtu vetëm për territorin e Kosovës por është prezentë në tërë Ballkanin, dhe dikush thotë që ky numër i njerëzve të NATO-s prezentë këtu në Kosovë është i vogël dhe duhet të rritet numri, edhe unë mendoj ashtu por në rast nevoje Aleanca Euroatlantike ka mundësi të manovrimit dhe të përshpejtimit të prurjes së forcave ushtarake të këtu në territorin e Kosovës, nëse ka nevojë edhe të armatimin e rëndë. Mundësi për një gatishmëri shumë më të lartë këtu në Kosovë të Aleancës Euroatlantike, me këto forca që i ka mundet me qenë shumë më e madhe nëse shtrohet nevoja”, u shpreh ai për Front Online.

Kurti kërkoi rritje të trupave të NATO-s në Kosovë/ Qehaja: Ato forca mund të vijnë në momentin e duhur

Pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, aludoi se do të tentojë ta rikthejë Kosovën, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Britania e Madhe duhet të dërgojë më tepër trupa në Kosovë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor.

Kurti në intervistë për media ndërkombëtare ka thënë se ka vetëm një prezencë “simbolike” të NATO-s në Kosovë dhe nuk do të mjaftonte të parandalohej një pushtim nga Serbia.

Kështu po thotë edhe eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja.

Ai për Front Online tha se numri i forcave është zvogëluar në mënyrë drastike, por që sipas tij për një kohë të shkurtër mund të shtohet numri.

“Numri i forcave të NATO në Kosovë është zvogëluar në mënyrë drastike por që ato forca mund të vijnë në momentin e duhur, në mënyrë të përshpejtuar, sepse NATO-ja për këtë ka mundësi manovruese dhe mund të ndodh që për një kohë të shkurt mund të kemi një numër të konsiderueshëm, më të madh të trupave të NATO-s dhe të armatimit përkatës se sa që është tash”, deklaroi ai për Front Online.

Kësaj deklarate kërcënuese të Vuçiqit i është përgjigjur edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta, e që sipas saj do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

Ndryshe, në Kosovë janë rreth 4500 ushtarë të NATO-s.

 

 

Komento: