Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për kanosjen e njëri-tjetrit për një pronë

14:59 | 19 Tetor 2023
deklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-kanosjen-e-njeri-tjetrit-per-nje-prone

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të akuzuarit Bajram dhe Muhamet Bruka, janë deklaruar të pafajshëm për kanosjen e njëri-tjetrit në gusht të 2021-tës, shkaku i një kontesti pronësorë.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës, nga prokurori Albert Zejnullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë jam tërësisht i pafajshëm”, tha I akuzuari Bajram Bruka. Këtë deklarim, e ka përkrahur mbrojtësi i tij avokati Vllaznim Alija.

“Ndihem tërësisht i pafajshëm, unë kam edhe prova të cilat do t’i paraqes”, tha i akuzuari Muhamet Bruka.

Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Avni Hysiqi tha se e mbështet këtë pranim të fajësisë.

Po shtu, prokurori çështjes Albert Zejnullahu, pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Bruka nuk e ka kundërshtuar.

Pas deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, gjykatësi Adem Shabani, i ka njoftuar për të drejtën e tyre që të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në afat ligjor prej 30 ditëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bajram Bruka, më 13 gusht 2021, rreth orës 13:30, në fshatin Greme Komuna Ferizaj, pas një mosmarrëveshje lidhur me një kontest pronësor me të dëmtuarin Muhamet Bruka, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit kishte kanosur të dëmtuarin se do ta dëmtojë me armë zjarri, duke iu drejtuar me fjalët me përmbajtje kërcënuese, se “mos u ofro afër meje” , me ç’ rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri tek i dëmtuari.

Me këtë i akuzuari Muhamet Bruka ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par.2. të KPRK-së.

Sipas pikës II, t kësaj aktakuze, i akuzuari Muhamet Bruka me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, pas një mosmarrëveshje lidhur me një kontest pronësor me të dëmtuarin Bajram Bruka, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, e kishte kanosur të dëmtuarin me një shufer druri (bisht të sopatës), mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, me ç’ rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri tek i dëmtuari.

Me këtë ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 par.2. të KPRK-së.

Komento: