Deliu i reagon Muratit: Krejt sakrificën e luftëtarëve, e paske minuar në kontribut të njëjtë me mercenarët – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Deliu i reagon Muratit: Krejt sakrificën e luftëtarëve, e paske minuar në kontribut të njëjtë me mercenarët

00:00 | 30 Qershor 2022

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pasi në rrjete sociale është shpërndarë një postim i ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në postimin që ka datën e vitit 2016, Murati kishte deklaruar se pagesat e pensioneve për ish-veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i kushtojnë buxhetit të Kosovës më shumë se buxheti për Ushtrinë.

Ai kishte shkuar edhe më tutje duke thënë se po të kishte angazhuar Kosova mercenarë gjatë luftës, do t’i kushtonte më pak se sa pensionet e veteranëve.

E për këto deklarata, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka deklaruar se nuk ka asgjë që e kompenson luftën e djemve e vajzave tona për liri.

“Krejt sakrificën e tyre deri në vetmohim, ministri Murati e paska minuar dikur në kontribut të njëjtë me mercenarët. Sa turp!”, ka shkruar Deliu në Facebook.

Kujtojmë se ndaj ministrit Murati ka reaguar edhe përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i cili ka deklaruar se nëse zyrtarët shtetërorë “nuk marrin vesh, do të kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe jo vetëm e ministrit”.

Komento: