Deliu thotë se pazotësia e Kurtit po e thellon krizën në të gjitha segmentet e shoqërisë

18:50 | 26 Dhjetor 2021

Kriza e energjisë elektrike ka bërë që të ketë shumë reagime.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Kurti në lidhje me energjinë.

Deliu tha se është e kotë përpjekja e Kurtit për t’i fajësuar qeveritë e kaluara për mungesën e energjisë elektrike, pasi sipas saj ka kohë që ky problem nuk ekziston në Kosovë.

“Kryeministri paska vazhduar edhe sot që t’i fajësojë të tjerët për të arsyetuar pazotësinë e tij që të ballafaqohet me krizën energjetike. E kotë është përpjekja e tij që t’i fajësojë qeveritë e kaluara për terrin në pikën e dimrit, sepse qytetarët e dinë që ky problem ka kohë që nuk ekzistonte në vendin tonë”, ka shkruar Deliu në Facebook.

“Kosova ka më shumë se një dekadë që nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike. Ka më shumë se një dekadë që premtimi për furnizim të rregullt me energji elektrike nuk ekziston në fjalorin e politikanëve”, ka vazhduar ajo.

Sipas deputetes pazotësia e kryeministrit vetëm sa po e thellon krizën në të gjitha segmentet e shoqërisë.

“Je Kryeministër që t’iu shërbesh qytetarëve dhe të ofrosh zgjidhje para se të akuzosh të tjerët”, ka përfunduar Deliu.

Komento: