Deputeti i VV-së: Po punojmë ngushtë me ndërkombëtarët që të jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo provokimi nga Serbia

09:33 | 27 Prill 2024
deputeti-i-vv-se:-po-punojme-ngushte-me-nderkombetaret-qe-te-jemi-te-gatshem-te-perballemi-me-cfaredo-provokimi-nga-serbia

Stërvitja e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës, po shihet me shqetësim të madh nga mazhoranca e partitë opozitare.

Nga mazhoranca thonë se edhe shtimi i trupave të KFOR-it ndërlidhet me këto stërvitje, ndërsa nga LDK konsiderojnë se stërvitje të tilla janë si synim për të shpërfaqur “brengën” që ka Serbia për komunitetin serb në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë për EO se edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh Serbinë si faktor destabiluzues në Ballkan.

Ai thotë se edhe shtimi i forcave të KFOR-it ndërlidhet me stërvitjet e Serbisë dhe po i marrin seriozisht këto “lëvizje provokuese të Serbisë”.

“Është e vërtetë që Serbia ka zhvilluar një manovër, stërvitje të madhe edhe ka demonstruar forcë, ka demonstruar një lloj superioriteti që pretendon ta ketë në Ballkan. Ka testuar disa lloj armatimesh, disa lloj dronësh të cilët janë të destinuar kryesisht për sulm edhe kjo është një lëvizje e radhës pra e Serbisë e cila tani po konsiderohet edhe nga shtetet e NATO-së si faktor me potencial për të shkaktuar destabilitet. Pra vetë rritja e prezencës së NATO-së në Ballkan pra në Kosovë përreth tregon se ata po i marrin seriozisht këto lëvizje provokuese të Serbisë të cilat kryesisht janë të drejtuar drejtë demonstrimit të atyre potencialeve sulmuese të ushtrisë serbe”, thotë Dugolli.

Në mënyrë që të mos përsëritet sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Dugolli thekson se institucionet kosovare janë duke punuar ngushtë me ndërkombëtarët, duke shkëmbyer edhe informata.

Thotë se janë të gatshëm të përballen me çfarëdo provokimi nga Serbia.

“Ne si institucione vendore pra Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës, e kështu më radhë po bashkëpunojnë ngushtë edhe me prezencën e NATO-së këtu në Kosovë, KFOR-in EULEX-in e kështu më radhë po bashkëpunojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtar me miqtë tanë të cilët janë këtu dhe po shkëmbejmë informacione në mënyrë që të mos jemi të befasuar siç ndodhi pra në vitin e kaluar që e kishim një sulm me 24 shtator direkt të ardhur nga Serbia. Po punojmë në atë drejtim që të jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo provokimesh të llojit të tillë”, thotë Dugolli.

Komento: