Dëshmitari i dytë deklarohet pjesëtar i UÇK-së dhe LDK-së, pyetet për strukturën e të dyja organizatave

15:25 | 17 Prill 2023

Dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pyetur kryesisht për organizimin e UÇK-së dhe LDK-së, me theks në zonën e Malishevës.

Ai është deklaruar si pjesëtar i UÇK-së dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dëshmitari fillimisht është pyetur për institucionet e përkohshme dhe strukturën e degës së LDK-së në Malishevë.

“Ne e kemi i pa si institucione të Kosovës që kanë punu nga delegatët e Kosovës dhe për ne ka qenë sistem i njerëzve të Kosovës”, ka thënë dëshmitari, duke pohuar se ato institucione udhëhiqeshin nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi e të tjerët, raporton Express.

Ndërsa ka thënë se dega e LDK-së në Malishevë përbëhej prej nënkryetarëve të LDK-së, sekretarëve dhe anëtarëve të kryesisë.

“Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, ka thënë ai.

Më tej, në seancën që herë pas here bëhet publike, por që po mbahet kryesisht e mbyllur, dëshmitari ka folur edhe për daljen e parë publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci, në të cilin tha se kishte marrë pjesë edhe vetë.

Ai tha se kishte mësuar se kush ishin përfaqësuesit e UÇK-së në atë ceremoni, duke përmendur emrat e Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Daut Haradinajt.

‘‘Pastaj unë kam mësua se ishte Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi edhe Daut Haradinaj, me sa e kujtoj Muja ka qenë pa maskë, e tjerët kanë qenë me maska’’, ka thënë dëshmitari.

Për Mujë Krasniqin u pyet më shumë, pasi tha se me të ishte njohur edhe më herët.

Për Rexhep Selimin, tha se kishte mbajtur një fjalim “më të rreptë”.

Ai tha se ka pasur mesazhe që lufta nuk mund të bëhej me njerëz pacifist dhe këtë ai thotë se e ka kuptuar që kishte qenë për LDK-në.

I pyetur nga prokurori James Pace, ai tha se UÇK-ja kishte pasur shtrirje në fshatrat e Malishevës si në qershor ashtu edhe në korrik të vitit 1998.

Për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja tha se ishte informuar përmes gazetave si ‘Koha Ditore’, ‘Bujku’ dhe televizioni shqiptar.

Komento: