Dëshmori pa fotografi

Shkruar nga: Blerim Latifi

19:41 | 30 June 2022

E kam pasur shok klase në shkollën fillore. Gjithë vitin vinte në shkollë me të njëjtat rroba dhe këpucë, ngase familja e tij jetonte në kushte të varfërisë ekstreme.

Kur erdhi koha përshkollën e mesme ai nuk u regjistrua fare. I duhej të punonte lloj-lloj punësh për të mbajtur me bukë familjen, ngase ishte djali më i madh i saj.

Kur shpërtheu lufta ishte ndër të parët që mori rrugën e Shqipërisë. Eci me kilometra të tëra, përmes kufirit të blinduar nga ushtria serbe, shkoi në Tropojë dhe veshi uniformën e UÇK’s. Ishte hera e parë në jetën e tij që po veshte një palë rroba të reja. Ngase nga shtati dukej kurpuloz, i dhanë një mitraloz. U kthye rrugës nga kishte ardhur, por tash më ndryshe. U kthye me pushkë në dorë. Me emblemën e UÇK-së në ballë. U kthye për të luftuar për lirinë e atdheut të tij. U kthye për të luftuar kundër atyre që ia kishin zhytur në mjerim familjen. Kundër atyre që ia kishin shkatërruar fëmijërinë, atij dhe të gjithë neve.

Në ofensivën e shtatorit të vitit 1998 ai ra duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe midis fshatrave Galicë dhe Mikushnicë. Si për koincidencë pikërisht në vendin ku me 1924 ishte plagosur për vdekje Azem Galica.

Sot nuk kemi asnjë fotografi të tij me uniformë të UÇK’s. Askush nuk e fotografoi. Ai është heroi pa fotografi. Dhe rrallë e zë në gojë ndokush emrin e tij. Sepse të shumë janë ata që nuk arrijnë ta kuptojnë dhe kurrë nuk do ta kuptojnë thelbin e UÇK- së dhe të luftëtarit autentik të saj, siç ishte Driton Ibrahimi.

Komento: