Dështon Juventus, Lazio fiton Superkupën e Italisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dështon Juventus, Lazio fiton Superkupën e Italisë

19:51 | 22 Dhjetor 2019

Lazio është fitues i Super-Kupës së Italisë.

Lazio e ka fituar Superkupën e Italisë që u zhvillua në stadiumin ‘King Saud University Stadium’ në Riyadh.

Skuadra që vije nga qyteti i Romës e ka mposhtur Juventusin në finale me rezultat 3-1.

Lazio ishte ajo që kaloi e parë në epërsi me golin e shënuar në minutën e 16-të nga Luis Alberto.

Por, para se të përfundonte pjesa e parë, Zonja e Vjetër i barazoi shifrat në 1-1 me anë të Paulo Dybalas (45’).

Pjesa e parë përfundoi e barabartë, ndërsa e dyta kishte edhe më shumë spektakël.

Juventusi në të dytën e filloi më mirë, por Cristiano Ronaldo dhe sulmuesi argjentinas nuk arritën ta mposhtnin më Thomas Strakoshan që ishte tejet i disponuar për lojë.

Lazio arriti ta rikthente epërsinë në minutën e 73-të me golin e shënuar nga Senad Lulic, e që më pas pasoi edhe loja e tyre më e mbyllur.

Torinezët tentuan nga të gjitha anët që ta dërgonin ndeshjen në vazhdime, mirëpo portieri shqiptar e mbrojtësi e lacianëve, nuk lejuan hapësira.

Lazio arriti ta shënonte edhe golin e tretë të takimit me anë të Danilo Cataldi (90+4), derisa kampioni i Serie A mbeti me një lojtar më pak në fushë shkaku që Rodrigo Bentancur u ndëshkua me karton të kuq.

Kështu, Lazio arriti ta fitonte Superkupën e Italisë, duke mos e lejuar Maurizio Sarrin që ta shijoj trofeun e parë me Juventusin që ishte kampion në fuqi.

Komento: