Dhunimi i të miturës, reagon Abdixhiku

19:30 | 29 Gusht 2022

Një e mitur është dhunuar në Prishtinë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dënim maksimal për pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, Abdixhiku ka thënë se ky akt kapërcen çdo ndjenjë njerëzore dhe se është alarm i dhimbshëm për shoqërinë.

“I trishtuar nga lajmi shokues i përdhunimit të një fëmije 11 vjeçe. Akt që kapërcen çdo ndjenjë njerëzore. Një alarm i dhimbshëm për shoqërinë tonë. Dënim maksimal – asgjë më pak – për monstrumët e këtij akti”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, ngjarja dyshohet se ka ndodhur të shtunën rreth orës 17:30 deri në 00:33, kështu viktima ka qenë viktimë e dhunës seksuale për shtatë orë.

Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit dy prej pesë të dyshuarve në këtë rast.

“Departamenti pë Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Komento: