
Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel do të vazhdojë këtë javë.
Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh do të vazhdojnë këtë javë në Bruksel.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. Ai ka treguar edhe për temat që pritet të diskutohen në këtë takim.
“Do të vazhdojnë bisedimet rreth temave të hapura në takimin e fundit në nivel të lartë politik. Bëhet fjalë për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”, ka thënë Stano.
Ndryshe, Hoti dhe Vuçiq janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku kanë thënë se kanë hapur temat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ato të çështjeve financiare dhe pronësore.
Ky takim ishte i dyti në nivel të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, që nga rifillimi i dialogut më 16 korrik.
Dialogu për 20 muaj ishte ndërprerë për shkak të taksës doganore – dhe më pas reciprocitetit – ndaj improteve serbe, masa këto të vendosura nga autoritetet në Prishtinë.
Qeveria Hoti ka hequr të gjitha barrierat tregtare me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.