Dikur e përkrahet Asociacionin, tani Thaçi thotë se është i rrezikshëm dhe i kërkon Kuvendit ta ndaloj Hotin – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Dikur e përkrahet Asociacionin, tani Thaçi thotë se është i rrezikshëm dhe i kërkon Kuvendit ta ndaloj Hotin

13:02 | 16 Shtator 2020

Presidenti Hashim Thaci, që dikur e kishte nënshkruar vetë një marrëveshje për bashkësinë e komunave serbe, thotë se hapja e temës së Asociacionit në Bruksel është gabim që po e bën kryeministri Avdullah Hoti.

Thaçi përmes një deklarate për media ka ripërsëritur se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

Në këtë deklaratë të Zyrës së Presidentit thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit dhe po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë.

Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

Komento: