Në vitin 1990, pas suspendimit të Autonomisë së Kosovës, kur Isa Mustafa takohej me të dërguarit e Millosheviqit, në ambiente luksoze, në Gërmi të Prishtinës, në përpjekje për RIVENDOSJEN e lidhjeve Kosovë-Serbi dhe për RIDEFINIMIN e marrëdhënieve të reja Kosovë-Serbi, brenda Serbisë, – dr. Rugova, me bashkëpunëtorët e tij, në një barakë të drunjtë, të zhgardhnuar, poshtë në qytet, po mundohej t’i ravijëzonte politikat dhe vizionin e tij për PAVARËSINË e Kosovës nga Serbia.
Njëzet vjet më vonë, në vitin 2020, pas VDEKJES së dr. Rugovës dhe pas ZËVENDËSIMIT të stafit të hershëm politik të LDK-së, me stafin e saj teknik: përkthyes, truproja, mbajtës të rendit shtëpiak, etj. dhe FUQIZIMIT të tyre brenda partisë, – Isa Mustafa i mori në dorë FRENAT e LDK-së, siç thonë partiakët e tij, pa qenë kurrë anëtar i saj dhe, tash dhjetë vjet, pa i fituar asnjëherë zgjedhjet në Kosovë, ai po e “DREJTON” me sukses, kah po do e si po do, qerren e zhgardhnuar të LDK-së. Madje, në saje të kësaj pozite, ai njeri u bë PERSONAZHI kryesor në skenën politike të Kosovës.
Vitet 1989-90 ishin ndër më të rëndat për shqiptarët dhe për Kosovën;
– Në vitin 1989, Serbia e Millosheviqit, me forca të mëdha policore e ushtarake, e suprimoi Autonominë e Kosovës;
– Në protestat masive të pranverës së atij viti, kundër suspendimit të Autonomië së Kosovës, policia dhe ushtria e Millosheviqit, i VRANË 28 protestues shqiptarë;
– Qindra protestues të tjerë u PLAGOSEN, me armë zjarri mga policia dhe ushtria serbe e Millosheviqit;
– Qindra protestues shqiptarë u ARRESTUAN dhe u mbajtën në burgjet serbe, në Kosovë;
Natën, mes 27 e 28 marsit 1989, policia e Millosheviqit ARRESTOI mbi 200 shqiptarë, kryesisht intelektualë të njohur, të “papërshtatshëm ideo-politikisht” për Serbinë, prej të cilëve Shërbimi i Sigurimit Shtetëror serb, pas suspendimit të Autonomisë së Kosovës, kishte pritur organizimin e rezistencën së armatosur në Kosovë, dhe i DEPORTOI në Serbi, duke i mbajtur PENG të Gjendjes së luftës, në burgjet më famëzeza serbe, anembanë Serbisë, deri pas intervenimit të ndërkombëtarëve për lirimin e tyre.
Pas rrënimit të çdo gjëje shqiptare dhe pas “Tokës së djegur” në Kosovë, Millosheviqi e dërgoi në Prishtinë dr. Stanko Radmiloviqin, kryetarin e qeverisë së Serisë (atëbotë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të RS të Serbisë), me 25 anëtarët e kabinetit të tij.
Misioni i ardhjes së qeverisë së Serbisë në Prishtinë ishte RIVENDOSJA e lidhjeve Kosovë-Serbi, pas protestave të përgjakura të shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974, dhe RIDEFINIMI i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës e pas “Tokës së djegur” në Kosovë, nga policia dhe ushtria serbe e Millosheviqit.
Sigurisht që këtë mision, qeveria e Serbisë s’mund ta realizonte ndryshe, veçse me shqiptarë, por, pas “Tokës së djegur” në Kosovë, ajo s’mund të gjente më shqiptarë me dinjitet, që do të pranonin të takoheshin me qeverinë e Serbisë.
Ajo, prandaj e kishte planifikuar një takim me të gjithë anëtarët e “qeverisë” së lodhët, servile, të Kosovës (atëbotë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës), të zgjedhur nga Millosheviqi, pas suspendimit të Autonomisë së Kosovës, njëri ndër të cilët ishte mr. ISA MUSTAFA, tash KRYETAR i LDK-së. Mbledhja u mbajt më 09 qershor 1990, në ambiente të Parkun Kombëtar Gërmia të Prishtinës.
Mesazhin e Millosheviqit për shqiptarët në Mbledhjen e përbashkët të “qeverisë” së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, e ka thënë shkurt dhe qartë, qysh në fillim të fjalës së tij, Dr. Stanko Radmiloviq, kryetar i qeverisë së Serbisë.
Duke i prezantuar në atë mbledhje, siç tha ai. “Premista elementare dhe thelbin e politikës së Serbisë në Kosovë”, Radmiloviqi iu tha anëtarëve shqiptarë të “qeverisë” Zejnullahu: “Kosova është pjesë integrale dhe e pandashme e Serbisë. Kosova duhet të jetë Krahinë Autonome në përbërje të Serbisë, pa elemente të shtetësisë.
Nëse kjo politikë pranohet, ekziston mundësia që të merremi vesh për veprimet e tjera dhe për mënyrat e punës”. (Stenogram nga Mbledhja….fq. 22,23)
Mr. Isa Mustafa pajtohet plotësisht me politikën e Serbisë në Kosovë, të prezantuar nga kryetari i qeverisë së Serbisë, Radmiloviqi, duke thënë, fjalë për fjalë: “Shtrohet çështja e poltikës, pranohet apo jo, politika e Serbisë. Sa iu përket parimeve, parimeve politike, mendoj që këtu s‘ka probleme…”, por, sipas tij, “… kur operacionalizohet politika, vjen deri te disa pabarazi”. (Stenogram nga Mbledhja… fq. 145)
Në atë mbledhje qeveria e Serbisë i AKUZON (pra, me gjithë servilizmin e tyre prapë i AKUZUN) anëtarët shqiptarë të “qeverisë” së Kosovës, për veprimet e tyre nga pozitat e Alternativës (Alternativë, në atë kohë, quheshin LDK-ja dhe disa organizime të tjera në Kosovë).
Mr. Isa Mustafa, distancohet prej këtyre akuzave: “Unë distancohem prej kësaj që anëtarët shqiptarë të Këshillit Ekzekutiv veprojnë nga pozitat e Alternativës, mendoj që askush s’ka argumente për këte dhe nuk do të duhej të jepnim vlerësime paushalle sa i përket kësaj.
Nëse këte duhet ta argumentojmë mund ta argumentojmë, por edhe për njerëzit që japin kësi konstatime, mendoj që ata duhet të ofrojnë argumente dhe ne pastaj të përgjigjemi në këto”, thotë ai, fjalë për fjalë, në atë mbledhje (Stenogram nga Mbledhja…fq.143,144)
Në ndërkohën gjashtëmujore, para Mbledhjes së përbashkët të “qeverisë” së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, në kushtet e passuspendimit të Kushtetutës së vitit 1974 dhe në kushte të rrënojave të “Tokës së djegur” në Kosovë, dr. Rugova kishte tubuar rreth vetes një grup intelektualësh shqiptarë, ndër më të njohurit e kohës, dhe po mundohej të ravijëzonte politikat dhe vizionin e tij dhe të LDK-së, të formuar në kapërcyellin e vitit 1989-90, që për një kohë të shkurtër, u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore.
Megjithëqë dr. Rugova dhe Mustafa, u angazhuan politikisht, në atë kohë dhe në kushte e në rrethana të njëjta, gjithësesi të rënda, dallimet në pozicionimin e tyre ishin aq të mëdha:
– Në vitin 1990, pas suspendimit të Autonomisë së Kosovës, në kohën kur dr. Rugova e filloi angazhimin në politikë, Mustafa, megjithëqë shumë më i ri në moshë, në atë kohë, ishte i regjur me poitikën komuniste të Shkollës së Kumrovcit;
– Kur Mustafa takohej me të dërguarit e Millosheviqit, në ambiente luksoze, në Gërmi të Prishtinës, dr. Rugova, me bashkëpunëtorët e tij, takohej poshtë në Prishtinë, në një barakë të drunjtë, të zhgardhnuar;
– Kur Isa Mustafa takohej me të dërguarit e Millosheviqit, në përpjekje për RIVENDOSJEN e lidhjeve Kosovë-Serbi dhe për RIDEFINIMIN e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, brenda Serbisë, dr. Rugova, me bashkëpunëtorët e tij, po mundohej të ravijëzonte politikat dhe vizionin e tij
për PAVARËSINË e Kosovës nga Serbia.
Pra, dr. Rugova dhe Isa Mustafa, në vitet e rënda 1989-90, për shqiptarët dhe për Kosovën, ishin rreshtuar dhe ishin angazhuar në anë TË KUNDËERTA të frontit të përgjakur Kosovë-Serbi.
Njëzet vjet më vonë, pas VDEKJES së dr. Rugovës dhe pas ZËVENDËSIMIT të stafit të hershëm politik të LDK-së, me stafin e saj teknik: përkthyes, truproja, mbajtës të rendit shtëpiak, etj. dhe FUQIZIMIT të tyre brenda partisë, Isa Mustafa i mori në dorë FRENAT e LDK-së, siç thonë partiakët e tij, pa qenë kurrë anëtar i saj dhe, tash dhjetë vjet, pa i fituar asnjëherë zgjedhjet në Kosovë, Mustafa po e “DREJTON” me sukses, kah po do e si po do, qerren e zhgardhnuar të LDK-së. Madje, në saje të kësaj pozite, ky njeri u bë PERSONAZHI kryesor në skenën politike të Kosovës.
P.s. Citatet janë marrë nga Stenogrami i Mbledhjes së mbyllur të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të RS të Serbisë me Këshilliin Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, mbajtur më 9 qershor 1990, në Gërmi, Prishtinë.